21 vatra zjarri janë regjistruar në 24 orët e fundit, nga të cilat tre vijojnë të jenë aktive, teksa 18 të tjera janë shuar.
Vatrat janë aktive në fshatin Pregjë-Lurë, në Dibër, në fshatin Shënmëri të Bashkisë Mirditë si dhe në vatrën e zjarrit midis fshatrave Goranxi dhe Derviçan, në Dropull të Poshtëm. Flakët favorizohen edhe nga era.
“21 vatra zjarri janë regjistruar në 24 orët e fundit, në territorin e vendit. 18 prej tyre janë shuar falë përpjekjeve të vazhdueshme të qindra forcave operacionale që po punojnë në terren, në këto temperatura të larta. Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile 3 vatra zjarri janë ende aktive.
Efektivët e Forcave të Armatosura e Forcat Zjarrfikëse, së bashku me ato të shërbimit pyjor po punojnë për izlomin e plotë të vatrës në fshatin Pregjë-Lurë, në Dibër. Puna ka vazhduar për shuarjen e zjarrit të rënë në fshatin Shënmëri të bashkisë Mirditë si dhe në vatrën e zjarrit midis fshatrave Goranxi dhe Derviçan, në Dropull të Poshtëm. Për shkak të temperaturave, terrenit të vështirë dhe erës së fortë zjarri dje në këtë zonë mori përmasa të mëdha duke përkeqësuar situatën në fshatrat Dhuvjan, Goranxi dhe Derviçan.
Forcat e Armatosura janë përherë në gatishmëri për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve, sa herë kërkohet ndërhyrja e tyre”, njofton Ministria e Mbrojtjes.
Ndërkohë, iu bëhet thirrje banorëve që të bashkëpunojnë me autoritetet vendore për të raportuar në kohë zjarrin me qëllim që të ndërhyhet në kohë, për të shmangur përhapjen e flakëve. /Telegrafi/