Sipas Radio Evropës së Lirë, përflakja e oxhaqeve të shtëpive është sfida kryesore e zjarrfikësve të qytetit të Tetovës.
Nga 18 rastet e zjarrit në këtë dimër në Tetovë, mbi 10 kanë ndodhur nga përflakja e oxhaqeve. Kështu thonë nga komanda e Zjarrfikësve të Tetovës, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Ata u bëjnë thirrje qytetarëve që t’i pastrojnë oxhaqet, pasi që pasojat mund të jenë katastrofale.
Uka Aliti, komandant i zjarrfikësve thotë se qytetarët e Tetovës nuk janë të prirë të pastrojnë oxhaqet e shtëpive të tyre, e sidomos në rastet e banesave kolektive.
Aliti kërkon nga qytetarët që të merren seriozisht paralajmërimet e zjarrfikësve, pasi që masat parandaluese ndihmojnë në pengimin e zjarreve.
Përndryshe, zjarri i fundit që shpërtheu në Tetovë mori jetën e pesë personave. Por, ky zjarr sipas të gjitha gjasave nuk është shkaktuar nga oxhaku./Telegrafi/
*Foto Ilustrim