Telegrafi

Zjarret në RMV dëmtuan një sasi të madhe të pyjeve

Sasi të mëdha të sipërfaqeve pyjore tash më 10 ditë janë përfshirë nga zjarri. Edhe pse ekipet e zjarrfikësve, armatës dhe njësive speciale të

MPB-së janë vazhdimisht në terren, ende ka vatra aktive të zjarrit. Ndërkohë, pjesët në të cilat kanë arritur që të shuajnë tërësisht zjarrin, janë shndërruar në hi dhe është dëmtuar sipërfaqe e konsiderueshme e pyjeve.

Një ndër pikat më kritike momentalisht është mali Serta në Negotinë. Në këtë pjesë, zjarri vazhdon tashmë 10 ditë, ndërsa era e tymit ndjehet edhe te fshatrat poshtë që ndodhen përreth këtij mali.

Në shuarjen e zjarrit në këtë pjesë, janë aktivizuar edhe vullnetarë, të cilët vazhdimisht janë në terren dhe po luftojnë përhapjen e mëtejmë të zjarrit.

“Zjarri ka përfshirë sipërfaqe shumë të madhe të malit. Mali i vetëm që kemi këtu në Negotinë është mali Serta. Këto janë mushkëritë tona në komunën tonë. Fatkeqësisht, mund të na ndihmojnë vetëm nga hapësira ajrore apo të bjerë shi, tjetër mënyrë nuk ka”, tha Vasko Jovanov, vullnetar në njësitin e zjarrfikësve në Negotinë.

Bëhet fjalë për një terren problematik, pasi nuk është i qasshëm për të depërtuar nga hapësira tokësore.

“Është dita e nëntë që luftojmë me zjarrin, të parandalojmë zjarrin. Deri para disa ditëve kishim zjarr në atë pjesë, në atë pjesë e stabilizuam zjarrin. Por, fatkeqësisht tani jemi në situatë shumë të vështirë, nëse zjarri vazhdon me këtë dinamikë, gjendja mund të bëhet më kritike për banorët e fshatit Bella Voda, Lludnica dhe Konça. Është një terren i paqasshëm. Situata është shqetësuese. Te pjesa ku është zjarri momentalisht kemi pjesëtarët e Njësiti për Reagim të Shpejtë dhe vullnetarët nga Komuna e Negotinës”, tha Jovanov.

Ndërkohë, nga Qendra për Menaxhim me Kriza njoftuan sot se, nga gjithsej 28 zjarret në 24 orët e fundit, momentalisht aktiv janë 13 zjarre.