Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Prishtinës me kujdes të shtuar ka trajtuar situatën e ditëve të fundit që ndërlidhet me një sërë incidentesh zjarri në zona të ndryshme sikurse, zonat pyjore, zonat rurale, periferitë e banimit dhe brenda qyteteve.
Policia nëpërmjet një komunikate i kanë bërë apel të gjithë qytetarëve që të qëndrojnë vigjilent ndaj rrethanave aktuale që ndërlidhen me zjarret, t’u përmbahet udhëzimeve të sigurisë nga zjarri të shpërndara nga policia dhe mekanizmat e tjerë, të raportojë menjëherë çdo aktivitet të dyshimtë, si dhe në të njëjtën kohë të shmangin veprimet ose aktivitetet të cilat mund të shkaktojnë zjarr.
Në komunikatë theksohet se në të gjitha incidentet, policia ka reaguar shpejt duke dalë në vendet e zjarrit për të ndihmuar evakuimin, kontrollin e trafikut, si dhe sigurinë përreth, transmeton KP.
Gjithashtu thuhet se policia ka kryer vizita në zonat e prekura për të ofruar informacion dhe mbështetje për banorët.
“Kemi punuar ngushtë dhe jemi koordinuar me agjencinë për menaxhimin e emergjencave, shërbimet zjarrfikëse, shërbimet e urgjencës mjekësore, drejtoritë komunale të emergjencave dhe agjencitë e tjera përkatëse, në ndarjen e informacioneve dhe burimeve në kohë reale dhe veprimeve të vazhdueshme për të frenuar përhapjen e zjarreve dhe për të minimizuar dëmet. Disa nga këto incidente mund t’i atribuohen kushteve klimatike, disa për shkaqe aksidentale porse janë ndjekur të gjitha pistat për të hetuar dhe përcaktuar nëse ndonjë zjarr është vënë qëllimisht.
Në kontekstin e kësaj disa persona janë identifikuar nga policia dhe rastet ku ata janë implikuar po trajtohen me kujdes. Suksesi i përpjekjeve tona parandaluese mbështetet shumë në përfshirjen e komunitetit. Andaj i bëjmë thirrje komunitetit që të qëndroj vigjilent ndaj rrethanave aktuale që ndërlidhen me zjarret, tu përmbahet udhëzimeve të sigurisë nga zjarri të shpërndara nga policia dhe mekanizmat e tjerë, të raportoj menjëherë çdo aktivitet të dyshimtë si dhe në të njëjtën kohë të shmangin veprimet ose aktivitetet të cilat mund të shkaktojnë zjarr”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/