Telegrafi

​Zjarret në fshatrat e Klinës shkaktojnë dëme të mëdha

Në fshatrat Krushevë të Madhe, Videjë e Gllarevë, gjatë ditës së djeshme janë paraqitur raste të zjarreve. Zjarrfikësit e kanë pasur të pamundur të intervenojnë në tri këto raste të komunës së Klinës, për çka është kërkuar edhe ndihma e KFOR-it.

Drejtori i Inspektoratit në Komunën e Klinës, Faruk Smajli deklaron për KosovaPress se zjarret kanë shkaktuar dëme të mëdha, të cilat po hetohen nga Policia e Kosovës.

Shtëpia e Krist Milicit nga fshati Jagodë ishte dje e rrezikuar të përfshihet nga zjarri. Gjatë pasdites ai bashkë me banorë të tjerë të këtij fshati ishin përpjekur që të shuanin zjarrin që kishte përfshirë hapësirë të madhe.

“Këtu dje ka ndodhur një zjarr i madh, për fat të mirë shpëtuam të dëme në njerëz dhe shtëpia. Me iniciativën e fqinjëve këtu edhe zjarrfikësit erdhën në ndihmë dhe e ndalëm… Shumë kemi qenë të rrezikuar, sepse ka qenë sërnishta e madhe, pa u heq kashta, edhe flaka ka qenë shumë e madhe … Jena ndjerë shumë të rrezikuar sepse ka qenë në afërsi të shtëpive dhe me zorra të shtëpive është problem me ndal zjarrin…Zjarri ka filluar rreth orës 14:30”, deklaron ai.

Ai tregon se për rreth një orë me banorët e Jagodës tentuan ta ndalnin zjarrin para se të vinin ekipet e zjarrfikësve.

“Me siguri faktori njeri është. Dyshimet, gjithkush po ka dëshirë ta pastrojë arën e vet edhe dikush ka pas dëshirë ta pastrojë dhe nuk ka menduar se do t’i shkaktojë dëme dikujt tjetër”, tha ai.

Drejtori i Inspektoratit në Klinë, Faruk Smajli thotë për KosovaPress se dje kanë qenë tri raste të zjarreve.

“Dje i kemi pasur tri raste që kanë qenë të përfshira nga zjarri. Kanë qenë zjarre që janë përhapur shumë edhe një mobilizim i mirë me zjarrfikësit, por pas atyre e e kemi parë që është e vështirë për t’i shuar ato zjarre. Kemi njoftuar përmes komandantit të Policisë edhe KFOR-in të cilët na janë përgjigjur pozitivisht, ku shfrytëzojmë rastin edhe t’i falënderojmë për bashkëpunim dhe falë tyre që i kanë dërguar dy helikopterë kanë arritur që t’i shuajnë të gjitha zjarret. Për momentin sot nuk kemi ndonjë zjarr aktual… Thuaja se tri rastet kanë qenë njëkohësisht sa që për numrin e zjarrfikësve për kushtet që i kanë ka qenë e pamundur t’i shuajnë tri zjarret. Ka qenë Krushevë e Madhe aty ku janë rrezikuar edhe disa shtëpi, aty kanë filluar zjarrfikësit t’i shpëtojnë shtëpitë pa u djeg edhe njëkohësisht na kanë ftuar në Gllarevë, mirëpo edhe në Videjë ku zjarri ka filluar të afrohet te shtëpitë e banimit”, tha ai.

Për momentin ende nuk dihen arsyet e zjarrit, por Smajli thotë se policia është mobilizuar për hetimin e këtij rasti.

“Nuk kemi ndonjë informatë tamam të saktë, prej atyre policia është e mobilizuar për të hulumtuar këto raste se mos është edhe faktori njeri ose diçka tjetër, por momentalisht nuk kemi të dyshuar për zjarrvënie. Mirëpo, u bëjmë apel të gjithë qytetarëve të kenë kujdes maksimal në këto ditë me temperatura kaq të larta, të kenë kujdes të shtuar dhe të mos kemi zjarrvënie të qëllimshme”, tha ai.

Shpërthim zjarri kishte edhe para tri ditësh në fshatin Zabërgjë, ku janë djegur dy stalla.

“Ne para tri dite në fshatin Zabërgjë, jemi lajmëruar që është ndezur një zjarr atje ku bashkërisht me zjarrfikësit, Policinë e Kosovës kemi dalë në vendin e ngjarjes. Atje janë bërë disa dëme, ku janë djegur dy stalla të banorëve aty, njëra prej tyre ka pasur bagëti përpos këtyre dëmeve tjera, pajisjeve që janë bujqësore janë djegur. Ka pasur edhe bagëti aty. Zjarrfikësit janë munduar ta bëjnë të pamundurën por ka qenë e pamundur për t’i shuar zjarret… pas asaj si komunë, në krye me kryetarin e ka mobilizuar shtabin emergjent të cilin e ka Komuna e Klinës, ku jemi të përfshirë me Policinë e Kosovës, Drejtoria e Shërbimeve Publike, zjarrfikësit dhe ne si inspektorat”, tha ai.

Inspektorati në Komunën e Klinës ka hartuar një raport të dëmeve, për çka Smajli thotë se nuk kanë shifra, por bëhet fjalë për dëme të mëdha.

“Në fshatin Zabërgjë, inspektorët që kemi dalë atje, kanë pasur si detyrë edhe kafshët për t’i groposur që të mos ketë epidemi ose diçka të ngjashme. Përpos tyre, ne kemi bërë edhe një raport të dëmeve. Si inspektorat i kemi shënimet që janë goxha dëme të mëdha, mirëpo tani ka mbetur që ekspertët të angazhohen për një raport gjithëpërfshirës për dëmet në gjithë lokacionet”, përfundon ai.