Site icon Telegrafi

Po vazhdon tradita e keqe e djegies së hamulloreve në arat e Kosovës

Po vazhdon tradita e keqe e djegies së hamulloreve në arat e Kosovës.

Një veprim i këtillë sonte ka ndodhur në fshatin Navolan të Vushtrrisë, ku zjarri kishte përfshi disa ara që gjendeshin fare pranë shtëpive.

Djegia e hamulloreve është një veprim i dëmshëm për florën e tokës, pasi e shkatërron atë, duke e bërë më pak produktive për kultivim të kulturave bujqësore, por nga mos kontrollimi i zjarrit mund të ketë pasoja tjera të mëdha.

Gjithashtu të premten, janë raportuar zjarre të tjera në pjesët malore të disa fshatrave të Gjakovës dhe në fshatin Ranillukë, gjithashtu edhe në një pjesë të Mitrovicës, të quajtur “kodra e cernushës”.

Tahir Ahmeti, njohës i çështjeve të emergjencave dhe njëherësh bashkëthemelues i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC), përmes një shkrimi në Facebook, ka reaguar për zjarret.

“Zjarret fushore po vazhdojnë tek ne, djegiet e qëllimshme të hamulloreve në arat e Kosovës po shkaktojnë rrezikim të përgjithshëm të mirave materiale, por nga pamundësia e kontrollimit të këtyre zjarreve, mundë të shkaktojnë edhe rrezikim të jetërave të njerëzve”.

“Duke u bazuar në ligjet e Republikës së Kosovës, inicimi i qëllimshëm i zjarrit që është me rrezik të përgjithshëm është vepër penale dhe sanksionohet me burgim nga 6 muaj deri në 5 vjet”,ka shkruar Ahmeti./Telegrafi

Exit mobile version