Telegrafi

Zjarr në Malin e Thatë, flakët rrezikojnë Parkun Kombëtar të Prespës

Prej 4 ditësh forca të shumta shqiptare e maqedonase janë duke punuar për të izoluar flakët e zjarrit që kanë përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me kullota, bimë medicinale dhe bimësi të ulët në Malin e Thatë.

Pjesa më e madhe e sipërfaqes së djegur është në anën e Maqedonisë së Veriut por çfarë shqetëson shërbimin tonë zjarrfikës, atë pyjor, punonjësit e shërbimeve në Bashkinë e Pustecit është fakti se tashmë zjarri ka hyrë në anën tonë të Malit të Thatë dhe rrezikon të hyjë në Parkun Kombëtar të Prespës.

Për të mos lejuar një gjë të tillë janë angazhuar forcat e ushtrisë si dhe tre helikoptere, Cougar i forcave tona të armatosura dhe dy të shërbimit të emergjencave nga pala maqedonase që po bëjnë gjithçka për të mos lejuar flakët e zjarrit të kalojnë në zonën e pyllëzuar të këtij parku.

Nga dita nesërme priten të jenë në operacion edhe mjete të tjera të shërbimit zjarrfikës si dhe forca të këtij shërbimi nga bashkitë e tjera të qarkut të Korçës por terreni i thyer malor dhe mungesa e rrugëve e bën të vështirë punën e të gjithëve./Vizion+