E.Gj nga Vushtrria, teknik instrumentar në Klinikën e Syve në QKUK, është arrestuar pasi është incizuar duke ia vjedhur paratë drejtorit të tij, Florim Zejnullahut. Ai është penduar rëndë për veprimin e tij dhe kërkon falje për vjedhjen që ka bërë. “Zëri” ka siguruar një video ku shihet momenti i fundit kur ai ia vjedh kuletën drejtorit të Klinikës së Syve
Një vjedhje spektakolare ka ndodhur në Klinikën e Syve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Personi që ka pranuar se ka kryer vjedhjen e që është arrestuar nga policia është E.Gj, teknik instrumentar në Klinikën e Syve në QKUK.
Policia rastin e ka cilësuar si vjedhje të rëndë, derisa dyshohet se nuk ishte hera e parë që Gj. kishte kryer vjedhje në Klinikën e Syve të QKUK-së.
Gazeta “Zëri” ka siguruar një videoincizim që do të publikohet në portalin www.zëri.info, ku instrumentari E.Gj derisa ishte në orarin e punës, me mantelin e bardhë mjekësor, futet në zyrën e drejtorit të Klinikës së Syve, Florim Zejnullahu, dhe ia vjedh paratë që ai i kishte lënë në kuletë.
Në incizimin që është siguruar ekskluzivisht nga “Zëri” përmes burimeve të saja në organet e hetuesisë, shihet tekniku medicinal E.Gj. tek hap me një çelës zyrën e drejtorit dhe futet brenda saj.
Drejtori Zejnullahu ka thënë për “Zërin” se në momentin që atij i janë vjedhur paratë, zyra e tij ishte e mbyllur me çelës kurse ai ishte në sallën operative duke kryer një operacion. /Zëri/
Zihet hajni serik që vjedh paratë e drejtorit… by gazetazeri