Zinedine Zidane i befasoi të gjithë me formacionin startues ndaj Huescas, teksa zgjedhja në portë ishte djali i tij, Luca Zidane.
Në konferencën për shtyp pas takimin, francezi tha se i biri kishte personalitet dhe e justifikoi besimin.
“Jam i kënaqur me debutimin e tij në Bernabeu, por Luca mbetet portieri i tretë i Realit. Thibaut ishte i lënduar dhe vendosa ta lija Keylor Navasin të pushonte pas angazhimit me përfaqësuesen. Shkoi mirë”.
“Luca luan qe 16 vite në skuadrat zinxhir të Realit dhe ka personalitet”, ka deklaruar legjenda franceze, transmeton KP.
Më pas Zidane analizoi ndeshjen, të cilën e konsideroi disi të çmendur. Ai shtoi se skuadra e tij duhet të luajë më mirë, ndërsa i dha merita kundërshtarit duke u shprehur se ndoshta meritonte me shumë, por diferencën e bëri në fund goli i Benzemas.
“Benzema është një lojtar që luan prej 10 vitesh te Reali. Ndoshta ky është sezoni më i mirë për të. Jemi të kënaqur dhe dua t’i besoj atij. Do të luajmë edhe nëntë takime, të shohim se çfarë do të ndodhë”, ka shtuar trajneri i Los Blancos.