Zinedine Zidane thotë se pozita e preferuar e Cristiano Ronaldos është në krah dhe e ka deklaruar se beson që golat e superyllit të Real Madridit do të vijnë në javët në vijim.
Portugezi ka dështuar të shënojë në dy ndeshjet e fundit, ndaj Napolit në Ligën e Kampionëve dhe ndaj Espanyolit në La Liga.
“Ai gjithmonë ka luajtur në krah. Është pozita e tij natyrale. Jam i sigurt se do të shënojë gola. Ai mund të luajë në pozita të ndryshme, sepse është lojtar i jashtëzakonshëm”.
“Mirëpo, preferon të luajë si anësor. Në atë pozitë i ka shënuar 300, 400 gola?”, ka deklaruar legjenda franceze.
Trajneri njëherësh ka deklaruar se mund t’i japë pushim Ronaldos në ndonjë ndeshje të lehtë, duke qenë se ai është shumë i angazhuar me skuadrën e tij që po garon për trofe edhe në kampionatin spanjoll edhe në Ligën e Kampionëve.
“Jam i sigurt se do të ketë edhe një apo dy ndeshje të tjera kur do të pushojë. Por, të mërkurën do të luajë”, ka shtuar Zidane.
Të mërkurën, Real Madridi zhvillon ndeshjen e mbetur në La Liga kundër Valencias. /Telegrafi/