Telegrafi

Zidane pret shumë nga Hazard

Zinedine Zidane ka thënë se ai pret shumë nga Eden Hazard dhe se është normale që ai ende nuk është ambientuar te Real Madridi.

Ylli belg u transferua në këtë verë te Los Blancos nga Chelsea për shumën e 100 milionë eurove, mirëpo deri më tani nuk ka treguar cilësitë që i posedon.

Trajneri francez ka thënë se ai nuk i shqetësuar me këtë gjë, pasi e njëjta gjë i ka ndodhur atij në Itali kur ishte te Juventusi.

Zinedine Zidane (Foto: Marca.com)

“Edhe unë kam pasur shumë vështirësi kur shkova në Itali, por isha i qetë. E dija se do të kalonte me kohën. Kur u transferova në Itali, humba tre muaj. Hazard do ia dalë në fund dhe do të jetë një lojtar i rëndësishëm për ne”, është shprehur trajneri i madrilenëve.

“Nuk kam nevojë të merrem personalisht me të. Ai e di që ne presim shumë prej tij. Duhet të jemi të durueshëm me lojtarët që sapo kanë mbërritur”.

Ndërkaq për mungesën e Ronaldos ai ka thënë: “Nuk do flas se çfarë ka bërë Ronaldo, pasi të gjithë e dimë këtë gjë. Duhet të vazhdojmë të punojmë që të përshtatemi me këta lojtarë që kemi”. /Telegrafi/