Zinedine Zidane ka bërë të ditur se Gareth Bale nuk është në planet e Real Madridit. Anësori është duke u lidhur me një largim nga Santiago Bernabeu në afatin verës.
29-vjeçari ishte lënë në bankën rezervë në humbjen 2-0 ndaj Real Betisit në ndeshjen e fundit të këtij sezoni, ndërsa lojtarët e madrilenëve u vërshëllyen nga tifozët e tyre.
“Do të shohim nëse Bale do të jetë edhe në sezonin e ri. Nuk e di se çfarë do të ndodhë, të jem i sinqertë”, ka thënë Zidane pas humbjes nga Betisi.
“Unë kam llogaritur në disa lojtarë tjerë, kjo është një gjë e qartë. Nëse do të kisha edhe zëvendësimet e tjera, e njëjta gjë do të ndodhte”.
“Duhet të shikoj për vendimet që duhet marrë dhe të vendos për strategjinë. Nëse një gjë nuk më pëlqen apo që nuk më plotëson, atëherë duhet të bëj atë që është më së miri”, ka shtuar më tej trajneri i Real Madridit. /Telegrafi/