Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane ka zbuluar se ai nuk kishte ndërmend të hyjë në botën e trajnerëve kur ai u pensionua si lojtar.
Ylli francez u tërhoq nga futbolli në vitin 2006, por deri në vitin 2013 nuk bëri asnjë aktivitet sportiv.
Në vitin 2013 ai u emërua si asistent i Carlo Ancelottit në klub, përpara se të merrte përgjegjësinë për Real Castilla të vitit të ardhshëm.
Por, Zidane ka zbuluar se ai nuk e kishte ndërmend të bëhej trajner, pasi ka thënë se nuk i pëlqente diçka e tillë, por me kalimin e kohës kanë ndryshuar gjërat.
“Nuk desha të bëhesha trajner kur u tërhoqa si lojtar, nuk ishte diçka që më interesonte”, ka thënë fillimisht Zidane për Diario AS.
“Doja të ndaloja dhe të bëja diçka tjetër me jetën time, një karrierë të re”.
“Por, gjërat ndryshojnë dhe unë jam i lumtur që jam në pozitën që aktualisht jam, është një privilegj”.
“Kam kaluar dy vjet si menaxher (në skuadrën e Castillas së Madridit) dhe tre vjet si trajner, prandaj më ka marrë pesë vjet për të arritur në këtë nivel dhe për t’u përgatitur”, përfundoi trajneri i Realit.
Ndryshe, Zidane ka treguar karakter dhe talent edhe në punën e trajnerit pasi ka fituar shumë tituj në vetëm dy vite e gjysmë si trajner i Real Madridit. /Telegrafi/