Federata e futbollit në Francë duket se e ka vendosur përfundimisht se Benzema nuk do të marrë pjesë në Euro 2016.
Pas problemeve të shumta në çështjen “Valbuena” si edhe aludimeve se Benzema ka gisht në lidhje me shitje droge dhe pastrim parash, drejtuesit e Federatës kanë vendosur që sulmuesi francez të rrijë sa më larg kombëtares.
“Falënderoj të gjithë fansat që më mbështesin, por duket se vendimi është i prerë. Për mua nuk do të ketë aventurë në Euro 2016”, shkruan Benzema në Twitter.
Në konferencën e sotme për shtyp trajneri i Real Madridit i ka kushtuar vëmendje edhe çështjes së Benzemas duke mbështetur sulmuesin e Realit.
“Nuk dua të fus hundët në problemet e Benzemas dhe Federatës franceze, por dua të them se sulmuesi dëshironte të luante në Euro 2016, por duket se një gjë e tillë nuk do të ndodhë”.
“Për mendimin tim, Benzema nuk duhet të humbasë besimin dhe duhet të vijojë me paraqitjen fantastike. Nëse largimi i tij është i drejtë? Nuk jam unë që marr vendimet”, ka thënë Zidane.