Telegrafi

Zidane: Duhet të mendojmë që nuk do të ketë ndeshje kthimi

Zinedine Zidane u shfaq përpara mediave në prag të duelit në Ligën e Kampionëve kundër Atletico Madridit.

Ai ka folur rreth ndeshjen dhe situatës aktuale të ekipit para sfidës së nesërme që do të zhvillohet në Santiago Bernabeu me fillim në ora 20:45.

”E dimë rëndësinë e kësaj ndeshje, duhet të mendojmë sikur nuk do të ketë ndeshje kthimi, duke bërë mirë nga minuta e parë e deri në fund. Tifozët tanë janë me ne, ashtu si në fundjavë ndaj Valencias, që ndihmuan shumë ekipin, është një plus për ne dhe kemi nevojë për të gjithë. Publiku në Bernabeu është gjithmonë një plus për ekipin”.

”Nuk jemi favoritë, është një gjysmëfinale dhe është 50-50. Duhet të japim maksimumin për të fituar ndeshjen dhe asgjë më shumë. Duhet të mendojmë vetëm për ndeshjen e nesërme, jo për ndeshjen e kthimit”.

“Nesër nuk është një derbi sepse është një gjysmëfinale, por rivaliteti është i njëjti. E dimë mirë se çfarë rivali kemi përballë… Pastaj, duhet të bëjmë gjërat”. /Telegrafi/