Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, ka kërkuar nga lojtarët e tij që ta fitojë ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Bayern Munichut.
Mbretërit fituan me rezultat 2-1 në Allianz Arena, ashtu që janë favoritë për përballjen kthyese që zhvillohet në Santiago Bernabeu.
“Është një gjysmëfinale, e dimë se çfarë ndeshje e rëndësishme është. E dimë se çfarë duhet të bëjmë. Nuk kemi nevojë të ndryshojmë asgjë. Thjesht duhet të jemi të fokusuar. Luajtëm mirë në ndeshjen e parë dhe tash duhet të tregojmë se duam të vazhdojmë tutje”, ka thënë francezi.
Trajneri i Los Blancos nuk e ka treguar emrin e lojtarit që do ta zë vendin e Carvajal në krahun e djathtë: “Çfarëdo që të ndodhë, ne jemi një skuadër dhe kemi ekip të madh”.
Ai e ka komentuar situatën e Iscos duke thënë se nuk do ta rrezikojë në rast se ekziston ndonjë problem. Ndërsa sa i përket rikthimit të Nachos, ka thënë se është stërvitur mirë dhe është i gatshëm për lojë pas kthimit nga lëndimi.
“Fokusi kryesor për ne do të jetë fitimi i ndeshjes. Të dalim jashtë dhe ta fitojmë ndeshjen. Nuk duhet të dalim dhe ta mbrojmë rezultatin”.
“(Bayerni) do të vijë këtu për të bërë një ndeshje të shkëlqyer, është një klub i madh dhe një skuadër e shkëlqyer, prandaj ne duhet të jemi shumë të përgatitur dhe të bëjmë një paraqitje mbresëlënëse”.
“Bayerni do të vijë këtu pa kurrfarë kompleksi për të zhvilluar një ndeshjen të madhe”, është shprehur Zidane në konferencën për shtyp. /Telegrafi/