Kosova do të përfaqësohet tani nga institucionet dhe zyrtarët e saj në Marrëveshjen për Tregtinë e Lirë të vendeve të Evropës Qendrore (CEFTA), pas një vendimi të Komitetit të Përbashkët të CEFTA-s për ta pranuar kërkesën e saj për heqjen e UNMIK-ut nga roli i përfaqësuesit.
Përfaqësuesja e Posaçme e Sekretarit të Përgjithshëm (SRSG) dhe Kryetarja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, mbështet marrëveshjen e arritur mëngjesin e sotëm ndërmjet palëve CEFTA, përfshirë UNMIK-un.
Kjo mbi miratimin e një vendimi për të ndryshuar Rregulloren e Procedurës së Komitetit të Përbashkët.
Ziadeh thotë se UNMIK-u ka luajtur vazhdimisht një rol të rëndësishëm në lehtësimin dhe mundësimin e bashkëpunimit në CEFTA, duke mbështetur rrugën drejt konsensusit të arritur sot.
“Ky vendim hapi rrugën për miratimin e marrëveshjeve të rëndësishme për përfitimin dhe prosperitetin ekonomik të popullit në rajon,” thuhet në njoftim.
Shtetet anëtare të CEFTA-s janë Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Moldavia.
Rumania, Bullgaria dhe Kroacia u tërhoqën nga CEFTA pas anëtarësimit të tyre në BE./Telegrafi/