Site icon Telegrafi

Zhvillimi vs. mirëqenia ekonomike shoqërore

Stimulimi i rritjes ekonomike bën pjesë në objektivat më të rëndësishëm të politikave publike, për të mos thënë që është më i rëndësishmi. Debatet politike, ekonomike e sociale vazhdojnë të kenë në thelbin e tyre “gjetjen e mjeteve dhe mënyrave për të nxitur rritjen ekonomike si rrugë pothuajse e vetme e zhvillimit ekonomik.” E shprehur apo matur si përqindje në raport me PBB (Prodhimi i Brendshëm Bruto; ang. GDP), rritja ekonomike paraqitet nga ekonomistët dhe politikanët si “rruga e vetme që të çon drejtë progresit social dhe mirëqenies”, si “çelësi i vetëm për krijimin e pasurisë së individëve dhe shteteve”.

Një tregues i dorës së parë i zhvillimit ekonomik është GDP-ja (ang.Gross Domestic Product) apo në shqip PBB-ja. Ajo përcaktohet si vlerë e rezultatit (output-it) të mallrave dhe shërbimeve, gjatë një viti. Megjithatë, GDP-ja nuk arrin të na tregojë plotësisht nëse mallrat dhe shërbimet e krijuara gjatë një viti janë një pasqyrim i zgjerimit real të pasurisë kombëtare.

Ky konkluzion ka kohë që ka ngjallur debate e reflektime, jo vetëm në gjirin e ekonomistëve, por edhe shoqërisë civile, mjediseve akademike e politike duke analizuar faktin “nëse rritja ekonomike është apo jo sinonim i krijimit të pasurisë dhe mirëqenies?” Nëse e marrim një shembull të thjeshtuar mund të kemi një pasqyrim më të drejtë rreth këtij debati. Nëse një shtet merr për obligim të ndërtojë një fabrikë për prodhimin e armëve bërthamore ose edhe të armëve tjera, të cilat ose do t’i mbajë për veti ose për shitje të jashtme, rrjedhimisht kjo do të rriste GDP-në e atij shteti pasi që ka pasur rritje të investimeve dhe rritje të eksporteve, mirëpo, çështja që do të diskutohet është nëse ky investim do të ndikojë në rritjen e mirëqenies së qytetarëve?! Gjithashtu edhe shembulli tjetër ku GDP nuk pasqyron cilësinë është rasti i kompjuterëve, cilësia rritet, derisa gjithnjë e më shumë po ulet çmimi.

Ekonomisti amerikan Simon Kuznets, i konsideruar edhe si “arkitekti i sistemit të kontabilitetit nacional” i kishte lajmëruar që në vitin 1934 autoritetet amerikane se “mirëqenia e një kombi nuk mund të barazohej me prodhimin kombëtar”. Por, megjithatë, në konferencën e famshme të Bretton Woods-it të vitit 1944, në të cilën fuqitë e mëdha të kohës i dhanë jetë “krijimit të një rregulli ekonomik botëror, i cili do krijonte mundësitë për përshpejtimin e progresit ekonomik global”, GDP-ja u kurorëzua si “indikatori i vetëm që garantonte realizimin e objektivave të rindërtimit dhe zhvillimit”. Edhe institucionet e krijuara në konferencën e Bretton Woods-it, si Banka Botërore apo FMN e bënë këtë indikator mbretin e aktiviteteve dhe performancës së tyre.

Në fakt, GDP-ja kontabilizon (regjistron dhe analizon) gjithë format e aktivitetit ekonomik, pa bërë ndonjë ndarje ndërmjet atyre që sjellin realisht përfitime sociale dhe atyre që bëjnë efektin e kundërt, pasi thjeshtë dhe vetëm për hir të fitimit, shkatërrojnë mjedisin, shëndetin etj. GDP-ja nuk na ofron asnjë të dhënë për cilësinë e jetës, kyçjen e shumë grupeve të popullsisë në shërbime bazë, gjendjen e shëndetit fizik e mendor, nivelin e lirisë ekonomike dhe demokracisë, zhvillimin e qëndrueshëm etj. Pra, rritja e GDP-së nuk jep automatikisht përgjigje për rritjen e mirëqenies dhe progresit social, nuk mjafton për të dhënë një profil të qartë të nivelit të jetesës dhe mirëqenies së shumicës së popullsisë.

Butani, një shtet i vogël në Azinë Jugore është një nga ato pak vende të rruzullit tokësor që nuk i kushton rëndësi të madhe rritjes së prodhimit të brendshëm bruto. Në vitin 2006, revista Business Week e rendit Butanin si vendin më të lumtur në Azi dhe në vend të 8-të në rang botëror. Në rang ndërkombëtar ky shtet renditet i 113-ti sa i takon madhësisë së prodhimit të brendshëm bruto, por kjo nuk i shqetëson aspak butanezët dhe drejtuesit e shtetit. Në vitin 1972, në kushtetutën e Butanit ishte përcaktuar një tjetër indeks: “lumturia e brendshme bruto”.

Për të bërë një analizë më të detajuar rreth mirëqenies ekonomike shoqërore duhet të vendosen disa parime të rëndësishme:

Së pari, vendosja e individit në qendër të çdo treguesi e analize. Nëse nuk shprehet statistikisht “nga brenda” dhe në detaje situate reale e individëve dhe familjeve (pasuria, mirëqenia, gjendja shëndetësore, struktura e shpenzimeve, etj.), dhe jo thjesht mesataret statistikore të tyre apo llogaritje të pjesshme njëherë në disa vjet, vendim-marrësit “rrezikojnë të jenë si pilotët pa busull”. Nga kykënd-vështrim, nocioni i “cilësisë së jetës” është indikatori kryesor i suksesit dhe efiçencës së politikave ekonomike.

Së dyti, statistikat duhet që të evidentojnë qartë “efektet që investimet publike e transfertat e ndryshme japin tek njerëzit”. P.sh., shpenzimet për shëndetësinë, arsimin, sigurinë publike, ujin e pijshëm etj., në rutinën statistikore evidentohen përgjithësisht në vlerë absolute, d.m.th., numri i mjekëve, shpenzimet për arsimin apo shëndetësinë në total; ndërkohë që kërkohet kalimi në njënivel më të avancuar treguesish të tillë si: indeksi i shëndetit publik, cilësia e përvetësimit të dijes në shkolla, niveli i kënaqësisë për sigurinë etj.

Së treti, llogaritja më e mirë e efekteve të rritjes ekonomike ndaj mjedisit dhe në këtë kuadër matja e një indeksi mbi ndikimet që ka mjedisi mbi shëndetin publik, cilësinë e jetës apo dhe strukturën e shpenzimeve të individëve dhe familjeve.

Vetëm në këtë mënyrë mund të orientoheshin siç duhet politikat e zhvillimit që duhet të ndërmerrnin qeveritë e ndryshme, apo dhe vetë institucionet ndërkombëtare si Banka Botërore, FMN, UNDP etj.

Do të ishte mire që, ashtu si në Butan, çdo program, çdo reformë politike në Kosovë të maste njëkohësisht edhe nëse i shërben lumturisë së popullsisë. Matja e prodhimit të brendshëm bruto apo e rritjes ekonomike është një instrument që ngatërron sasinë me cilësinë. Sepse problem i mirëqenies nuk qëndron tek rritja e as tek shuma e mallrave të prodhuara, e shërbimeve të kryera. Çështja kryesore është se çfarë duam të arrijmë, në cilin drejtim do shkojmë? Duam të arrijmë fryrjen e industrisë së ndërtimit dhe asaj të reklamave, sepse njëra sjell vende pune për votuesit, kurse tjetra votues lehtësisht të manipulueshëm, apo kemi synime më afatgjata?!

Në fund të fundit, ekonomia nuk është gjë tjetër veç se vënia në praktikë e filozofisë morale me mjete financiare.

Exit mobile version