Telegrafi

Zhvillimi ekonomik mund ta ndal fluksin e migrimit

Është hapur panairi i pavarësisë “Republika ime”, në Prishtinë, ku po marrin pjesë rreth 70 biznese vendore të cilët i kanë ekspozuar prodhimet e tyre kryesisht ushqimore.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se kjo është një dëshmi e mirë se pse të rinjtë e vendit tonë nuk duhet ta lëshojnë vendin për të ikur drejt perëndimit.

“Një lloj krenarie realisht që e kemi pasur nevojë veçanërisht në këto momente mjaft të rënda kur një pjesë e madhe e rinisë sonë e kanë marrë rrugën e mërgimit aq më tepër kur shohim edhe fëmijë të vegjël në mes të dimrit duke tentuar të kalojnë pellgjet me ujë. Këtu është perspektiva e qytetarëve të Kosovës, këtu është e ardhmja jonë, duhet të punojmë gjithë bashkërisht ta përmirësojmë këtë vend për arsye se vetëm nga këtu mund të shkojmë edhe shpejt edhe në Evropë atje por dinjitoze edhe krenar se jemi qytetarë të Republikës së Kosovës për të cilën kanë dhënë aq shumë jetë qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Kurse, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka deklaruar se me zhvillim ekonomik mund të ndalet fluksi i migrimit të qytetarëve të vendit tonë.

“Është koha kur rinia duhet ta thotë zërin e vet dhe ky është vërtetë një hap i cili duhet të respektohet. Një mesazh i qartë në këtë rast duhet të jetë i adresuar tek institucionet evropiane , kërkojmë nga Evropa të bëjë atë çka e bënë me syrin Evropë, zhvillimin ekonomik dhe në qoftë se tentohet që të ndalet fluksi i migrimit dhe Kosova të ketë stabilitet social, stabilitet politik dhe përshpejtim të proceseve integruese, është zhvillimi ekonomik dhe kush e bënë këtë më mirë se Evropa”, ka deklaruar ai.

Panairi i cili është organizuar nga Këshilli i të Rinjve Evropian të Kosovës dhe studentët e Universitetit të Prishtinës, sipas kryetarit të këtij këshilli, Avdullah Hasani është bërë me qëllim që të rinjtë e UP-së të praktikojnë organiziminpanaireve ekonomike. Panairi pritet të zgjas deri nesër. /Telegrafi/