Site icon Telegrafi

Zhvillimi ekonomik garant i stabilitetit

Në kuadër të vizitave nëpër komuna të Kosovës, me qëllim të përkrahjes së zhvillimit ekonomik, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga qëndroi sot në komunën e Vushtrrisë, Skenderajt dhe në komunën e Gllogocit.

Në takimet me kryetarin e Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku, nënkryetarin e Skënderajt, Fadil Nura dhe kryetarin e Drenasit, Nexhat Demaku, Presidentja Jahjaga u njoftua me problemet me të cilat përballen këto komuna në fushën e zhvillimit ekonomik, përkrahjen e bizneseve vendore dhe në tërheqjen e investimeve të huaja.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, dhe kryetari i Odës Ekonomike Gjermane, Albert Matoshi, sikur edhe gjatë vizitave në komunat e tjera, e shoqëruan edhe sot Presidenten në takime me kryetarët e komunave dhe paraqitën problemet me të cilat përballen bizneset që ata përfaqësojnë dhe shtruan idetë për kapërcimin e tyre, në funksion të shtimit të zhvillimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të reja të punës.

Presidentja Jahjaga, gjatë një deklarimi për media pas vizitës në komunën e Vushtrrisë, tha: “Edhe sot kam vazhduar vizitat nëpër komunat e Kosovës. Patëm një takim jashtëzakonisht produktiv me kryetarin e komunës së Vushtrrisë. Jam me kryetarët e tri odave ekonomike, Odës Ekonomike të Kosovës, Odës Amerikane dhe Odës Gjermane. Patëm rastin të bisedojmë hollësisht me kryetarin për nivelin e zhvillimit ekonomik në komunën e Vushtrrisë, për mundësitë të cilat i ofron komuna e Vushtrrisë dhe për problemet me të cilat ballafaqohet, që të nxisim një dialog shumë të domosdoshëm, një dialog të munguar deri më tani, me qëllim të zhvillimit ekonomik, të ngritjes së punësimit në vend dhe të ngritjes së investimeve të huaja, por edhe të brendshme në vend”.

“Ne e dimë se zhvillimi ekonomik është shumë i domosdoshëm dhe që zhvillimi ekonomik në vend është garant i stabilitetit të mëtutjeshëm të vendit tonë, por edhe që kontribuon në proceset integrues për vendin”. /Telegrafi/

Exit mobile version