Site icon Telegrafi

Zhvillimi i dobët i digjitalizimit në institucione kërcënon të drejtat e njeriut në RMV

Digjitalizimi krijon mënyra të reja për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të njeriut, ka ndikim në të gjitha llojet e të drejtave – civile, politike, kulturore, ekonomike, sociale. Megjithatë, digjitalizimi i zhvilluar në mënyrë të pamjaftueshme mund të ndrydhë, pra të kufizojë, mund të shkaktojë edhe manipulime në sistemin juridik dhe të margjinalizojë grupe të caktuara qytetarësh.

Maqedonia e Veriut është një vend në të cilin për shkak të gabimeve burokratike dhe dokumenteve të “fshehura” në arkivat e stërngarkuara, disa persona nuk kanë dokumente dhe nuk mund të ushtrojnë të drejtat elementare të njeriut.

Siç tregon Xhejlan Veliu, aktiviste shumëvjeçare në fushën e drejtësisë sociale dhe të drejtave të njeriut dhe juriste në shoqatën “Ljubeznost”, zhvillimi i dobët i digjitalizimit në institucionet e këtij vendi ndikon në funksionalitetin dhe efikasitetin e institucioneve dhe rrjedhimisht, mund të shkaktojë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

“Kemi vetëm një shembull, me një numër identiteti të gabuar, personi është mbi 20 vjeç, ai është fantazmë, sepse numri i tij i identitetit është i gabuar, domethënë është mashkull dhe numri i përgjigjet gjinisë femërore, ai praktikisht nuk ka një numër amzë. Ne u përpoqëm ta ndihmonim, nga Zyra e Gjendjes Civile na thanë se po, ka ndodhur për një gabim, por për ta korrigjuar atë gabim, duhet të gjenden dosjet origjinale të 20 viteve më parë, që kërkon energji, kohë dhe përpjekje, sepse ne e dimë se si mbahen ato dokumente në depo të stërmbushura me dokumente , në të cilat ndoshta mund të ketë humbur edhe çelësi”, shpjegon Xhejlan Veliu për MIA-n.

Siç shpjegon ajo, për shkak të pengesave të tilla burokratike këta persona nuk mund të punësohen, të arsimohen dhe janë subjekt i margjinalizimit.

Veliu thotë se digjitalizimi i zhvilluar në të cilin të gjitha dokumentet do të jenë lehtësisht të aksesueshme mund të zgjidhë shumë probleme dhe të përmirësojë qasjen në drejtësi.

Të drejtat e njeriut me digjitalizim jo mjaftueshëm të zhvilluar mund të kërcënohen dhe këtë e tregon ankesa e fundit e dërguar nga Avokati i Popullit, në të cilën thuhet se për shkak të problemeve në sistemin që shkaktojnë pengesa në sferën e çështjeve sociale gjatë shkarkimit të të dhënave zyrtare nga Agjencia e Kadastrës për pasuritë e paluajtshme, kërcënohen të drejtat që kanë të bëjnë me ushtrimin e të drejtave në kujdesin shëndetësor, subvencionimin, marrjen e ndihmës financiare dhe të llojeve të tjera të ndihmës nga shteti, etj.

Avokati i Popullit vlerëson se kjo situatë është e palejueshme dhe ndikon drejtpërdrejt në realizimin e të drejtave legjitime të një grupi më të madh të qytetarëve, i cili ndodhet në gjendje shumë të vështirë financiare dhe materiale dhe në rrezik të theksuar social, citohet në njoftim.

Edhe pse ky problem, i cili së fundmi u theksua nga zyra e Avokatit të Popullit, është zgjidhur, situata të tilla janë tregues se nevojitet ndërmarrja e hapave më të mëdhenj për digjitalizimin e plotë.

Digjitalizimi më i zhvilluar i shërbimeve publike – një perspektivë e re pune

Konstantin Bitrakov, asistent në Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë” dhe ish-bashkëpunëtor studiues në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, në një bisedë për MIA-n, vlerëson se situata me zhvillimin e pamjaftueshëm dhe joadekuat të digjitalizimit, pa dyshim e komplikon realizimin e të drejtave të njeriut dhe interesave juridike, pra çon në kosto apo shpenzime të panevojshme, financiare dhe kohore, që siç thotë ai, ndikon edhe në besimin në sektorin publik në tërësi.

Bitrakov shtoi se digjitalizimi është i një rëndësie të madhe, sepse mundëson shërbime të përshpejtuara dhe cilësore të administratës publike, zvogëlim të numrit të sporteleve, ulje të korrupsionit dhe ndikimeve të ndryshme. Ai thekson se forcimi i digjitalizimit, ndër të tjera, mund të kontribuojë në një shkëmbim më të lehtë të informacionit ndërmjet institucioneve.

“Domethënë, kur kërkojnë shërbim nga një autoritet publik, qytetarët dhe kompanitë shpesh duhet të paraqesin dëshmi nga një autoritet tjetër publik. Për shembull, për të marrë licencën për shitjen e alkoolit nga Ministria e Ekonomisë, një kompani duhet të dëshmojë se është e regjistruar në Regjistrin Qendror, për të cilën duhet një vërtetim. Ose për të marrë një lloj ndihme financiare nga komuna në të cilën jeton, një qytetar me problematika sociale shpesh duhet të marrë një Vërtetim nga Drejtoria e të Ardhurave Publike si tregues për të ardhurat e tij. Në rast të digjitalizimit të plotë, qytetarët dhe kompanitë nuk do të duhej të dorëzonin prova të tilla, por ato do të siguroheshin sipas detyrës zyrtare, pra institucionet do t’i shkëmbenin në mënyrë elektronike. Deri më tani, një shkëmbim i tillë i të dhënave dhe dokumenteve ndërmjet institucioneve është i rrallë, megjithëse është paraparë si i detyrueshëm që nga viti 2015”, vlerëson Bitrakov.

Ai thotë se, i përcaktuar në këtë mënyrë, digjitalizimi është jetik për përparimin e shtetit në tërësi, më saktë për avancimin e punës së administratës publike, e me këtë edhe mbrojtjen e të drejtave dhe interesave ligjore të qytetarëve dhe entiteteve afariste.

Në vend të 17 institucioneve shtetërore të parashikuara me ligj, KSHPK-ja aktualisht ka akses elektronik vetëm tek dy institucione

Korrupsioni është një nga problemet më urgjente me të cilat përballet shoqëria maqedonase dhe digjitalizimi efikas është një nga mënyrat për t’u përballur me këtë fenomen negativ. Digjitalizimi i pamjaftueshëm në ministri dhe institucione ndikon në uljen e efektivitetit të punës së tyre dhe me këtë po përballet një nga institucionet që merret drejtpërdrejt me problemin e korrupsionit – Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.

“Konkretisht, përkundër faktit se neni 25 paragrafi 4 i Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit parasheh që në ushtrimin e kompetencave ligjore, KSHPK-ja duhet të ketë akses të drejtpërdrejtë elektronik dhe të përdorë të dhënat nga 17 organe dhe institucione shtetërore, KSHPK-ja në periudhën e kaluar kishte qasje të drejtpërdrejtë, përkatësisht në mënyrë elektronike merrte të dhëna vetëm nga Regjistri Qendror i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe nga Agjencia e Kadastrës së Pasurive të Paluajtshme. Të gjitha autoriteteve dhe institucioneve të tjera, KSHPK-ja u drejton kërkesa me shkrim për mbledhjen e të dhënave, informacionit dhe dokumentacionit, duke vonuar në këtë mënyrë procesin e konstatimit të gjendjes faktike në rastet për të cilat KSHPK-ja vepron në kuadër të kompetencave të saj ligjore, japin sqarime nga ky institucion për MIA-n.

Në periudhën e kaluar, KSHPK-ja ka dorëzuar rekomandime në Agjencinë e Mbështetjes të Sipërmarrjes dhe në Ministrinë e Drejtësisë për inkorporimin e mjeteve digjitale.

“Në Agjencinë e Mbështetjes së Sipërmarrjes së Republikës së Maqedonisë së Veriut, është rekomanduar që të shqyrtojë mundësinë që në të ardhmen të dorëzojë aplikacione për pjesëmarrje pas thirrjeve të shpallura publikisht për mbështetje të ekonomisë së vogël në mënyrë elektronike. Edhe Ministrisë së Drejtësisë, i është rekomanduar që të bëjë publikimin digjital të dokumenteve të kandidatëve që aplikojnë për provimin e jurisprudencës dhe ruajtjen e dokumenteve në dosje elektronike”, informojnë nga KSHPK-ja.

Maqedonia e Veriut dhe qytetarët e saj me nivel të ulët të digjitalizimit

Bitrakov thotë se është e vështirë të bëhet një vlerësim i detajuar për drejtimin dhe shpejtësinë e procesit të digjitalizimit në këtë vend, por thekson se ka një mospërputhje të madhe mes vendeve të kontinentit evropian.

“Është e dukshme edhe nga raportet që dalin nga Indeksi i Ekonomisë dhe Shoqërisë Digjitale (Digital Economy and Society Index) ose DESI i Komisionit Evropian, sqaron ai. Gjegjësisht, një studim i bërë nga organizata Makedonija2025 tregon se Maqedonia e Veriut dhe maqedonasit kanë një nivel të ulët të digjitalizimit. Arsyet e përmendura janë mungesa e dëshirës dhe motivimit të qytetarëve për të mësuar dhe modernizuar punën e kompanive, ndërgjegjësimi i ulët për avantazhet e digjitalizimit, por edhe mungesa e një iniciative dhe rolit më të fortë të qeverisë në këtë fushë.

Shoqatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe ekspertët janë unanime – digjitalizimi në ministri dhe organet në përbërje të tyre duhet të jetë prioritet për shtetin.

“Duhet të bëhet një analizë më serioze e problemeve që lidhen me zgjidhjet softuerike të përdorura nga autoritetet publike. Konkretisht, qytetarët shpesh tregojnë për situata në të cilat, për të parafrazuar, sistemi i një institucioni të caktuar nuk funksionon, prandaj marrja e një shërbimi vonohet. Por raste të tilla nuk janë pothuajse asnjëherë në sektorin privat… duhet të studiohet se cila është arsyeja e kësaj situate. Mbase fondet që autoritetet publike ndajnë për

prokurim nuk i motivojnë kompanitë që i përgjigjen thirrjeve për të zhvilluar zgjidhje adekuate softuerike? Mungesa e inxhinierëve të IT-së në organet publike, për shkak të pagave të ulëta që ofrohen në sektorin publik në krahasim me atë privat, a na çon në situata ku nuk ka njeri që di të menaxhojë sistemet? Apo është një problem tjetër? Këto çështje duhet të jenë në qendër të strategjive dhe akteve të ngjashme për zhvillimin e teknologjive informative dhe komunikuese në vend, vlerëson Bitrakov.

KSHPK-ja bën të ditur se po mundohen që me mbështetjen e Bashkimit Evropian t’i tejkalojnë mangësitë. Me mbështetjen financiare të BE-së në kuadër të projektit IPA2, në KSHPK po zhvillohet një zgjidhje e re softuerike, e cila tashmë është në fazën përfundimtare dhe që përfshin disa module, si raportimi elektronik i pasurive dhe interesave, regjistri i personave të zgjedhur dhe të emëruar dhe një shkëmbim elektronik i të dhënave me disa autoritete dhe institucione shtetërore.

Me këtë zgjidhje softuerike planifikohet që KSHPK-ja të ketë mundësi të marrë të dhënat, informacionet dhe dokumentacionin e nevojshëm në dispozicion të autoriteteve dhe institucioneve shtetërore në formë elektronike pa paraqitur kërkesa me shkrim, gjë që do të kontribuojë në rritjen e efikasitetit dhe efektivitetit në zbatimin e kompetencave të tij ligjore, sidomos në fushën e evidentimit dhe monitorimit të gjendjes dhe interesave pasurore.

Me futjen e digjitalizimit të avancuar, arkivat dhe zyrat e stërmbushura me dokumente do të mbeten në histori. Digjitalizimi ka një rol për të mundësuar dosjet elektronike, lehtësisht të aksesueshme për të gjithë, për të reduktuar pritjet në sportele dhe për të përmirësuar shkëmbimin e informacionit dhe dokumenteve ndërmjet institucioneve. Megjithatë, Maqedonia e Veriut si vend në zhvillim është ende në proces të digjitalizimit, gjë që mund të çojë në rrezikimin e ushtrimit të të drejtave të njeriut. Ndaj ekspertët theksojnë se nevojitet urgjentisht zhvillimi i digjitalizimit në institucione.

Exit mobile version