Site icon Telegrafi

Zhvillimet në KPM, Maloku: Paniku që ka kapluar pushtetin po shfaqet tani në forma të ndryshme

Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për deputete në Kuvendin e Kosovës, Doruntinë Maloku tha se paniku që ka kapluar pushtetin po shfaqet tani në forma të ndryshme.

Maloku në një postim në Facebook shkruan se Komisioni i Pavarur i Mediave është organ i pavarur dhe ashtu duhet të mbetet.

Lexoni të plotë postimin:

Filloi me bojkot ndaj mediave, më pas me kërkesë që qytetarët t’i mbyllnin veshët dhe të mos i dëgjonin mediat e caktuara. Ndërsa dje, kryeministri, në një restorant diku në Kosovë, vendosi t’i quante “rrenca” të gjithë ata që janë pjesë e medias. Vendimi i sotëm, për shkarkimin e Kryetarit të KPM-së, sado i rëndë dhe jo-ligjor, nuk të jep përshtypjen se diçka e papritur ndodhi nga kjo qeveri.

Komisioni i Pavarur i Mediave është organ i pavarur dhe ashtu duhet të mbetet. Paniku që ka kapluar pushtetin po shfaqet tani në forma të ndryshme. Shpejtësia me të cilën sot njerëz të afërt me pushtetin, në mënyrë jashtëligjore, shkarkuan Kryetarin e KPM-së, flet shumë për nxitimin e tyre që ta përdorin këtë institucion me shumë rëndësi për shtetin tonë si një armë kundër demokracisë.

Liria e medias, që nga paslufta në vendin tonë, ka qenë dhe mbetet një ndër vlerat më të çmuara që kemi si shtet. Ruajtja e këtij institucioni kaq të rëndësishëm është një nevojë urgjente për secilin prej nesh.

Të dashur qytetarë, vendime të tilla, sado që janë shqetësuese dhe e dëmtojnë seriozisht demokracinë, në të njëjtën kohë janë tregues se ky pushtet i ka ditët e numëruara dhe se ndryshimi është shumë afër. /Telegrafi/

Exit mobile version