Site icon Telegrafi

Zhvillimet e jashtme ndikuan në stabilitetin financiar të Kosovës

Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ka njoftuar se zhvillimet e jashtme kanë pasur ndikim në stabilitetin financiar të Kosovës kanë qenë të favorshme në gjysmën e dytë të vitit 2017, duke ndikuar që sektori financiar të vazhdojë të karakterizohet me qëndrueshmëri të lartë.

“Pritjet për rritje ekonomike të qëndrueshme në eurozonë vazhdojnë, si dhe prospektet për rimëkëmbjen e vendeve të rajonit mbeten pozitive, duke ndikuar në përmirësimin e mëtejmë të faktorëve me ndikim në ekonominë e Kosovës dhe në pozicionin e agjentëve ekonomik”, thuhet në raportin e BQK-së, raporton RTKlive.

Sidoqoftë, pasiguri të vazhdueshme ekzistojnë rreth zhvillimeve në ekonominë dhe tregjet globale, të cilat në rast të materializimit mund të ndikojnë në rritjen e rrezikut nga ambienti i jashtëm makroekonomik.

“Rreziqet kanë të bëjnë kryesisht me pasiguritë e vazhdueshme rreth tensioneve gjeopolitike, konflikteve në tregtinë ndërkombëtare, luhatjeve të mëdha në nivelin e çmimeve të mallrave dhe metaleve, si dhe ndryshimet e mundshme në tregjet financiare apo ndryshimi i çmimeve të aseteve që mund të ndikojnë negativisht në rritjen ekonomike dhe stabilitetin financiar”, thekson raporti i BQK-së. /Telegrafi/

Exit mobile version