Lojtarët e Real Madridit kanë humbur besimin tek njëri prej bashkëlojtarëve të tyre pasi ai pati një paraqitje të dobët në finalen e Superkupës së Spanjës ndaj Barcelonës.
‘Los Blancos’ u mposhtën me rezultat të thellë 5-2 nga Barcelona në stadiumin ‘King Abdullah’ të Arabisë Saudite.
Të humbasësh ndaj Barcelonës është diçka që nuk do të doje asnjëherë në rezymenë tënde si lojtar i Madridit, por këto dy humbje kanë qenë veçanërisht turpëruese pas disfatës 0-4 në ‘Santiago Bernabeu’ në tetor.
Kritikat filluan menjëherë në kryeqytetin spanjoll, por një lojtar në veçanti ka marrë më së shumti nga ato për shkak të paraqitjes së tij.
Bëhet fjalë për Aurelien Tchouameni, i cili u paraqit si partner i Antonio Rudiger në mbrojtje, ani pse me pozitë natyrale është mesfushor.
Ai mori një karton të verdhë pas 62 minutave lojë dhe dy minuta më pas u zëvendësua nga Luka Modric.
🚨 NEW: Some in the dressing room have lost confidence in Aurélien Tchouaméni, while others point out that he’s being played out of position often. @MarioCortegana pic.twitter.com/liKyD67NkZ
— Madrid Xtra (@MadridXtra) January 13, 2025
Dhe kjo nuk është hera e parë që 24-vjeçari është kritikuar këtë sezon, por në dhjetor të vitit të kaluar, Ancelotti kishte insistuar se francezi është një lojtar i rëndësishëm.
“Aurelien ka shfaqur dobinë e tij në nivel defanziv, si qendërmbrojtës ose mesfushor. Ai është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne, sepse na jep gjatësi në ndërprerje, një aspekt i rëndësishëm i lojës në të cilin kemi vuajtur”, kishte thënë tekniku italian.
Por raportimet e ndryshme nga Spanja kanë bërë me dije se zhveshtorja e Real Madridit e ka humbur besimin tek ish-lojtari i Monacos./Telegrafi/