Telegrafi

Zhvatja përmes kredive, zbardhet rregullorja e re për institucionet jobankare në Shqipëri

Institucionet jobankare që japin kredi do të operojnë me një rregullore të re. Ndryshimet që ka miratuar Banka e Shqipërisë synojnë të plotësojnë bazën rregullative, kryesisht pas revokimit të licencës dhe rregullojnë procedurat për likuidimin e portofolave të tyre të kredive.

Rregullat e reja vijnë pas skandalit me dy institucione financiare që ngritën skema për zhvatjen e klientëve kredimarrës.

Banka e Shqipërisë do të bashkëpunojë me Ministrinë e Drejtësisë për emërimin e likuidatorit nga lista e administratorëve të falimentimit, sikundër po veprohet me listën e kreditorëve të MCA dhe Final.

Departamenti i Mbikëqyrjes do të ketë si detyrë kryesore të mbështesë likuidatorin në procesin e likuidimit, duke përgatitur paketën fillestare të informacionit për likuidatorin me informacionet e disponueshme nga raportimet e subjektit në Bankën e Shqipërisë, me qëllim njohjen e situatës financiare të subjektit të vendosur në likuidim.

Likuidatori do të raportojë mbi ecurinë e procesit të likuidimit minimalisht një herë në muaj dhe të përditësojë kredimarrësit në Regjistrin e Kredive.

Likuidatori ka të drejtë që me fillimin e likuidimit të administrojë portofolin e kredive të subjektit financiar jobankë dhe në rast shitjeje të portofolit, ajo duhet të kryhet nëpërmjet ankandit.

Likuidatori duhet të marrë të gjitha masat për likuidimin e portofolit të kredive të subjektit financiar jobankë, përfshirë dhe ruajtjen e të dhënave. /Telegrafi.