Site icon Telegrafi

Zhurmë e madhe para rezidencës së Netanyahut, familjet e pengjeve aktivizojnë sirenën për të kërkuar kthimin e të dashurve të tyre

Familjet e pengjeve izraelitë të mbajtur në Gaza kanë aktivizuar një sirenë për dy minuta jashtë rezidencës së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, në Jerusalem, për t’i kërkuar atij që të kthejë të dashurit e tyre, duke shënuar një vit që kur ata u rrëmbyen nga Hamasi.

Pas sulmeve të 7 tetorit të Hamasit ndaj Izraelit që vranë 1,200 njerëz dhe panë 250 të tjerë të marrë peng, familjet kanë bërë fushatë të pandalshme që qeveria izraelite të arrijë një marrëveshje armëpushimi në Gaza që do të siguronte lirimin e të dashurve të tyre.

Në njëvjetorin e luftës në Gazë, të afërmit folën për pikëllimin dhe traumën që kanë përjetuar, sipas Forumit të Pengjeve dhe Familjeve të Zhdukura, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.

“Ka kaluar një vit që nga mëngjesi i asaj të shtune kur prindërit e mi u zgjuan në panik. Një vit që kur terroristët depërtuan. Një vit frike vdekjeprurëse që askush nuk mund ta kuptojë”, tha Shir Siegel, prindërit e të cilës u rrëmbyen dhe u dërguan në Gaza.

Bëhet e ditur se nëna e Siegel, Aviva Siegel, u lirua pas dy muajsh në robëri, por babai i saj, Keith Siegel, ende mbahet peng.

“Ka kaluar një vit që kur imagjinova prindërit e mi që po ktheheshin në shtëpi dhe ne duke u përqafuar. Ka kaluar një vit, por duket si një ditë e gjatë”, tha Siegel.

Edhe disa të afërm shprehën mesazhe shprese dhe qëndrueshmërie.

“Omeri, jeta ime. Më mungon. E ndjej mungesën tënde në çdo frymëmarrje, në çdo moment”, tha Niva Wenkert, djali i së cilës u rrëmbye në festivalin e muzikës Nova vitin e kaluar.

“Ne nuk po dorëzohemi, jeta ime, nuk po dorëzohem për asnjë sekondë. Ne jemi këtu, nuk do të ndalemi derisa të jeni në shtëpi”, shtoi Wenkert. /Telegrafi/

Exit mobile version