Telegrafi

“Zhuri”, me rëndësi strategjike për Kosovën

Ministria e Energjisë dhe Minierave ka pranuar, të mërkurën shprehjet e interesit për ndërtimin e Hidrocentralit të Zhurit, nga dy konsorciume dhe një kompani ndërkombëtare.

Ndërtimi i këtij hidrocentrali, nga eksperti Luan Shllaku, shihet si i një rëndësie strategjike, jo për faktin se do të prodhohen disa qindra megavat më shumë, por, për faktin e të ardhmes integruese.

“Kosova është e obliguar, pra, patjetër duhet të ndryshojë strukturën e prodhimit të energjisë, në këtë moment është 98 për qind prodhuese e termo-energjisë dhe nuk ka qare që deri në vitin 2020 të prodhojë të paktën 20 për qind energji të pastër apo hidro-energji. Kushti që çështja e Zhurit është jetike për Kosovën karshi obligimeve ndërkombëtare”, thotë Shllaku, për Radio Kosovën.

Nga ana e saj, edhe deputetja nga radhët e AKR-së, Muzejene Selmani ndërtimin e Hidrocentralit të Zhurit e sheh si të obligueshme.

“Hidrocentrali është standard i BE-së, i cili duhet të plotësohet dhe një marrëveshje shumë e mirë mes shtetit shqiptar dhe të Kosovës kishte me çel rrugën drejt integrimit, se integrimi bëhet ekonomik edhe në sektorin e energjisë dhe në të gjithë sektorët tjerë”, tha Selmani.

Ndryshe, janë tri kompani që kanë shprehë interesimin për ndërtimin e hidrocentralit të Zhurit. /Telegrafi/