Banorët e fshatit po përballen me një varg mungesash infrastrukturore.
Pa rrugë të asfaltuara, pa rrjet të ujësjellësit e të kanalizimit, Zhilivoda ka mbetur njëri ndër fshatrat e harruar të Vushtrrisë.
Banori Haxhimet Krasniqi thotë se mungesa e infrastrukturës ka bërë që shumë banorë të shpërngulen.
“Krejt shkaku i kësaj, banorët janë duke lëshuar shtëpitë dhe braktisur fshatin. Komuna prej tri vitesh nuk ka bërë asnjë investim në këtë fshat, dhe as që po mendojnë në atë drejtim. I kanë ngrënë paratë dhe ka mbetur në gjysmë rrethimi i shkollës”, thotë për RTV Dukagjinin Haxhimet Krasniqi.
Të njëjtën gjë e pohon edhe banori Hashim Krasniqi.
“Nga paslufta na kanë premtuar rrugën dhe kanalizimin, por ajo ka mbetur si është. Unë e di që Komuna e Vushtrrisë e ka pas në projekt rrugën dhe kanalizimin dhe ndërtimin e një kulle në këtë vend, asnjëra s’kanë ardhë”, thotë banori tjetër Hashim Krasniqi.
E në fshatin me probleme infrastrukturore, nga pranvera e vitit të ardhshëm do të zgjidhet çështja e kanalizimit.
Kështu u përgjigj në mënyre elektronike Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Vushtrrisë, Sedat Rashica.
“Në bazë të vendimit 182/17 , date 29.06.2017, ku lejohet ndërtimi i kanalizimeve ne disa lokalitete te Komunës në fshatin Zhilivodë parashihet të ndërtohet vijë e kanalizimit ne gjatësi 1400 m. Me këtë vendim projekti “Ndërtimi i Kanalizimeve” i vitit 2017 shndërrohet ne projekt trevjeçar për vitet 2017-2019”, thuhet në përgjigje.
E sa i përket rregullimit të rrjetit të ujësjellësit dhe infrastrukturës rrugore, nuk janë paraparë projekte për vitin e ardhshëm./Telegrafi/