Dukej e pabesueshme, por doli e vërtetë: Bankat e Kosovës nuk e pranojnë koronën suedeze! Me koronat e Suedisë në Kosovë as nuk mund të blesh euro e madje as nuk mund të deponosh në banka me qëllim të kursimit.
Në Therandë, ku sikurse në të gjitha vendbanimet e Kosovës i kanë hapur përfaqësitë e veta disa banka vendore dhe ndërkombëtare, ishte e pamundur që të kryhej punë me koronat suedeze. Disa filiale madje nuk kishin as listën e kursit të valutave, ku mund të shihej vlera e koronës suedeze. Thjeshtë, bankënotat e shtetit suedez nuk kishin kurrfarë vlere! Me koronat suedeze mundesh vetëm të ”fotografohesh”!
Mbretëria e Suedisë është një shtet evropian, anëtare e Bashkimit Evropian dhe ka një ekonomi stabile. Valuta e saj, korona, me kodin bankar SEK, gjithashtu është stabile dhe e njohur ndërkombëtarisht denbabaden. Por, ja që në Kosovë nuk njihet! Nuk pranohet! Nënçmohet!
I mllefosur nga ky qëndrim i bankave të Kosovës, kërkova sqarime nga Zyra e Suedisë në Prishtinë. Shefja e kësaj zyre, Ingrida Johansson, përmes telefonit deklaroi se nuk ka pasur dijeni për këtë dhe se i vije keq nëse shtetasit suedezë, me prejardhje nga Kosova, ballafaqohen me sfida të tilla.
Nuk do koment se mosnjohja e valutës së ndonjë shteti nga një shtet tjetër më tepër ka karakter biznesi se sa politikë. Bankat e Kosovës ndoshta janë përcaktuar për 3-4 valuta ndërkombëtare, përmes së cilave zhvillojnë marrëdhëniet ekonomike e financiare. Por, nuk duhet harruar se në Mbretërinë e Suedisë aktualisht jetojnë, punojnë dhe kursejnë gati 50 mijë qytetarëve që kanë prejardhje nga Kosova.
Mos mundësimi i kursimit me valutë suedeze, e cila viteve të fundit është mjaft stabile, ose të paktën mos mundësimi i konvertimit të kësaj valute në euro në bankat e Kosovës, është një e padrejtë që në radhë të parë u bëhet bashkëkombësve tanë.
Në anën tjetër, Suedia, kur e kishim më së vështiri, ka hapur dyert për nevojtarët nga Kosova. I ka strehuar ata dhe u ka dhënë mundësinë e integrimit në rrjedhat e shoqërisë dhe të kulturës së saj.
Suedia është ndër të parat shtetet të Evropës që ka bërë edhe pranimin e Pavarësisë së Kosovës. Organet shtetërore suedeze vazhdimisht dhe më suksesshëm se në të gjitha shtetet tjera të botës, angazhohen dhe kontribuojnë për ruajtjen e identitetit kombëtar të ardhacakëve, me këtë rast të shqiptarëve.
Anë e kënd Suedisë janë rreth 5 mijë nxënës që pa pagesë ndjekin mësimin në gjuhën amtare shqipe dhe me ta, me pagat që i sigurojnë komunat, janë të angazhuar rreth 200 mësimdhënës.
Por, këto si duket nuk qojnë shumë peshë për shtetin më të ri të Evropës. Bankat e Kosovës nuk e njohin dhe as që duan ta përfillin valutën e këtij mik e bujar që bëri dhe po bënë shumë për Kosovën dhe ardhmërinë e saj.
Prandaj, për të mos pasur telashe, porositen bashkëkombësit tanë që vijnë për t´i kaluar pushimet në vendlindje nga Suedia dhe shtetet tjera skandinave, që të bëjnë konvertimin e valutave të shteteve prej nga vijnë në euro ose në dollarë. Përndryshe, me para në xhep, me valutë konvertibile do të mbesin me gishta në gojë, ngase bankat e Kosovës duan vetëm euro, dollarë amerikanë, franga zvicerane dhe funta britanike.
Kjo vlen edhe për ata që në këtë valutë kanë planifikuar të kursejnë në bankat e Kosovës dhe që në këtë mënyrë, me djersën e vet të kursyer, kanë dashur të ndihmojnë sado pak zhvillimin e atdheut.
Një fjalë e urtë popullore thotë: “Edhe lypës edhe zgjedhës”! Kjo është tipike për bankat e Kosovës. Ky është edhe një zhgënjim i mërgimtarit, i cili disa muaj ka ndarë nga kafshata e gojës për të kursyer ose për të shpenzuar në Kosovë.