Telegrafi

Zhernoski: Zgjedhje siç i kanë hije një vendi anëtar të NATO-s

Për gjendjen globale të demokracisë në kohë të pandemisë botërore të shkaktuar nga virusi KOVID-19 u bisedua në konferencën përkushtuar 20 vjetorit të nënshkrimit të Deklaratës së Varshavës të organizatës ndërkombëtare Bashkësia e Demokratëve, në të cilën mori pjesë zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Andrej Zhernovski.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme informojnë se kjo ngjarje është rasti i parë ku Republika e Maqedonisë së Veriut mori pjesë si anëtare e plotfuqishme e Bordit Drejtues të Bashkësisë së organizatës, pas anëtarësimit më 25 nëntor të vitit 2019.

Në këtë ngjarje morën pjesë dhe folën shumë ministra të Punëve të Jashtme, në mesin e të cilëve ministrat e Punëve të Jashtme të Polonisë, Norvegjisë, Rumanisë, Gjeorgjisë, si dhe përfaqësues të tjerë të lartë të KE-së, Vera Jurova, zëvendëssekretari shtetëror i SHBA-së, Stefan Biegan, ish sekretarja shtetërore e SHBA-së, Medlin Ollbrajt.

Në fjalimin e tij, Zhernovski foli për rëndësinë e Deklaratës së Varshavës njëzetë vjet më vonë, veçanërisht nga aspekti i krizës aktuale shëndetësore.

“Republika e Maqedonisë së Veriut, bëri hapa të rëndësishëm të cilat e kthyen në kursin demokratik dhe të cilat sollën deri në përshpejtimin e procesit të integrimit euro-atlantik të vendit. Ne i ndërmorëm të gjitha masat dhe aktivitetet e nevojshme dhe në kohë të gjendjes së jashtëzakonshme për respektim të të drejtave të njeriut dhe demokracisë me qasje gjithëpërfshirëse drejtë të gjitha kategorive shoqërore. Zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 15 korrik të këtij viti, do të jenë në përputhje me të gjitha protokollet shëndetësore, do të sjellin deri në formimin e qeverisë politike me mandat të plotë dhe institucione funksionale, të cilat do të vazhdojnë kursin demokratik dhe reformues të vendit”, ka theksuar Zhernovski.

Në konferencë është miratuar edhe deklaratë e përbashkët e të gjithë pjesëmarrësve, për rëndësinë e Deklaratës së Varshavës dhe nevojës nga rishqyrtimi i praktikave ekzistuese demokratike dhe respektimin e të drejtave të njeriut në kushte të jashtëzakonshme.