Çdo herë kur ka reshje të shiut, kanali në të cilin rrjedh uji që vjen nga lumi i fshatit Poroj vërshon përgjatë rrugës së fshatit Trebosh dhe tokat bujqësore aty pranë. Pikërisht këto përmbytje kanë bërë që të ketë përplasje mes Komunës së Zhelinës dhe Tetovës, shkruan gazeta KOHA.
Nga Komuna e Zhelinës akuzuan se përgjegjëse për këto përmbytje është Komuna e Tetovës, ndërsa kjo e fundit thonë se nevojitet formimi i një Komisioni, i cili do të dalë në terren dhe të konstatojë gjendjen reale për të gjetur një zgjidhje afatgjate për banorët e këtyre fshatrave.
“Ne si komunë jemi të interesuar që ky problem të zgjidhet mes institucioneve apo ndërmarrjeve kompetente të dy komunave. Jemi të gatshëm të ofrojmë edhe ekspertë që janë në kuadër të komunës së Tetovës që të gjendet zgjidhje afatgjate për këtë problem sepse pësojnë dy fshtra që janë në territorin e komunës së Zhelinë”, tha Armend Fazliu, zëdhënës i Komunës së Tetovës. Sipas kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu, thotë se vendi ku mblidhet uji dhe del nga shtrati i bie territorit të Komunës së Tetovës.
“Ky vend gjendet në hyrje te fshatit Trebosh, pra në rrugën kryesore. Më herët kemi kontaktuar edhe me Komunën e Tetovës që të jenë të njoftuar me këtë situatë që na përsëritet çdoherë kur ka të reshura dhe që të intervenohet, pasi nuk kemi të drejte ligjore të intervenojmë në një territor të një komune tjetër”, tha kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu.
Përfaqësues të Komunës së Zhelinës si drejtori i ndërmarrjes publike komunale “Mirëmbajtja”, Sedat Rushani, së bashku me koordinatorin komunal të Qendrës për Menaxhim me Kriza, Shaban Limani, kishin dalur në vendngjarje për të mbikëqyrur situatën. Ata thonë se makineri të angazhuara nga Komuna e Zhelinës që nga orët e hershme të mëngjesit kanë ndërmarrë masa që uji të mos vërshojë edhe nëpër shtëpitë e banorëve të fshatit Trebosh. “Si primare ka qenë që uji të mos depërtojë në vendbanime, respektivisht në Trebosh dhe Pallaticë, ku ka rreth 6 mijë banorë. Ka përmbytje në tokat punuese dhe kërkojmë një bashkëpunim më të mirë me Komunën e Tetovës për të tejkaluar këtë situatë dhe për të zgjidhur njëherë e përgjithmonë”, tha Shaban Limani.
Përndryshe, vërshimet e shpeshta të ujit në këtë rrugë në masë të madhe e kanë shkatërruar të njëjtën, që ndikon drejtpërdrejt në prishjen e automjeteve, të cilat për çdo ditë qarkullojnë në këtë rrugë, andaj kërkohet një zgjidhje urgjent dhe afatgjate si për kanalin që gjendet përgjatë kësaj rruge, po ashtu edhe për rrugën, e cila është mjaft e frekuentuar dhe lidh disa fshatra të Komunës së Zhelinës me Tetovën. Qytetarët apelojnë që urgjentisht Komuna e Zhelinës të ndërmarrë masa në drejtim të përmirësimit të gjendjes në këtë rrugë, me qëllim që situata të mos eskalojë dhe uji të vërshojë edhe nëpër shtëpitë e këtij fshati./koha.mk/