Edon Zhegrova do të largohet nga Lille gjatë afatit kalimtar të verës për të bërë një hap para në karrierë.
Sulmuesi kosovar ka pasur një vit shumë të mirë dhe ka zgjuar interesimin e top klubeve evropiane.
Dy gjigantët italianë, Juventus dhe Milan prej javësh po e kërkojnë Zhegrovën, por së fundmi fuqishëm është futur në garë edhe Roma.
Giallorosët nuk po munden të arrijnë te Federico Chiesa, derisa Zhegrova po fiton gjithnjë terren nga konkurrentët e tjerë dhe tani është objektivi kryesor i Romës për krahun e djathtë të sulmit.
Skuadra nga kryeqyteti italian ka përcjellë gjatë Zhegrovën dhe tani janë të gatshëm për ta transferuar prishtinasin në Olimpico.
Lille pajtohet ta shes yllin kosovar, por nga largimi i tij duan të fitojnë së paku 20 milionë euro, shumë që është e përballueshme edhe për Romën.
25-vjeçari ka pasur një sezon mjaftë të mirë me fanellën e Lille, ku në 47 ndeshje zyrtare në të gjitha garat ka shënuar 12 gola dhe ka asistuar në 10 të tjerë.
Përveç skuadrave italiane, interesim për Zhegrovën kanë shfaqur edhe Borussia Dortmund dhe Aston Villa. /Telegrafi/