Rusët i thonë “njet” Zhegrovës”. Këtë titull mban artikulli i publikuar sot në gazetat zvicerane Tages Anzeiger, Basler Zeitung etj. që merret me ndërhyrjen e politikës në sport.
Sipas mediave zvicerane, është e qartë: Rusia ia mohon vizën për hyrje shtetasit kosovar dhe lojtarit të FC Baselit, e të Përfaqësueses kosovare, Edon Zhegrovës. Me këtë, lojtari i shquar do të mungojë në ndeshjen për Ligën e Evropës, FC Basel-Krasnodar që luhet nesër në Krasnodar, Rusi.
“Edon Zhegrova mbase do të magjepste me lojën e tij buzë Detit të Zi. Magjinë që qëndron në shputat e tij e njohin në Bazel. Se ai ndoshta pikërisht për këtë arsye është i dashuruar në topin dhe me këtë gjë ndodh t`i zemërojë bashkëlojtarët dhe publikun, dihet po ashtu”, fillon shkrimi në gazetat zvicerane.
Por ajo që nuk do të donim ta dinim dhe megjithatë na e bëjnë të ditur është se: sporti ka të bëjë shumë me politikën. Sepse sportisti profesionist Edon Zhegrova nuk do të mund të shkëlqejë buzë Detit të Zi kur luan Basel të enjten nga ora 16.50.
Në këtë kohë, Baseli do të luajë në kualifikimet për Europa League dhe me një fitore mund ta sigurojë vendin e parë në grup, transmeton albinfo.ch. Zhegrovës, për shkak të prejardhjes së tij kosovare, autoritetet ruse nuk i kanë dhënë vizën.
Sulmuesi anësor ka pasaportë kosovare. Dhe kjo gjë në rrethanat kur qeveria ruse historikisht ashtu si dhe aktualisht i qëndron afër Serbisë, e cila vazhdon të ketë pretendime për territorin e Kosovës.
Te vëllai i madh sllav serbët njohin aleatin e tyre më të ngushtë, gjë që ndër të tjera dëshmohet me faktin se Rusia hyn në mesin e atyre shteteve që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Së bashku me Kinën, rusët, duke përdorur të drejtën e Vetos pengojnë pranimin e Kosovës në OKB.
Ndër lojtarët që do të mungojnë në ndeshjen kundër Krasnodar-it janë edhe dy shqiptarë: Taulant Xhaka dhe Tician Tushi. Por ata nuk e kanë problemin e pasaportës.