Ushtria serbe, e cila gjatë luftës në Kosovë, ndihmohej edhe nga serbët vendës vrau 13 shqiptarë dhe plagosi shtatë veta. Sipas të dhënave që kanë grumbulluar Këshilli i bashkësisë vendore në Zhegër në periudhën mars-qershor 1999 në këtë fshat janë vrarë 13 veta dhe janë plagosur 7 persona.
Në fshatin Zhegër gjatë luftës forcat serbe kanë bërë shumë dëme materiale. Sipas shënimeve ushtria serbe dhe grupet paramilitare kanë djegur 410 shtëpi, 104 traktor të plaçkitur, tre kamion, 200 vetura, 96 motokultivatorë, 322 lopë, 140 tonë miell, 5 furgonë.
Sipas komisionit të fshatit të kryesuar nga Rrahim Bajrami, Musli Ukshini dhe Nezir Neziri vlera e dëmit arrin në 19 milion e 320 mijë euro.
Fatmirësisht banorët e Zhegrës i kanë njohur drejtuesit e operacioneve të vrasjeve në Zhegër dhe për dallim nga fshatrat e tjera kanë bërë një kallëzim penal qysh në vitin 2005 në Prokurorinë e Qarkut , ku kanë akuzuar disa serb vendor si të dyshuar në krimet në fshatin Zhegër.
Rrahim Bajrami aktivist thotë se nuk heqin dorë nga ndjekja penale përkundër faktit se ish Prokuroria e Qarkut për këto vite nuk ka bërë as edhe më të voglën përpjekje për të zbardhur rastin.
Bajrami tha se që nga koha kur është dorëzuar Kallëzimi penal askush nuk i ka ftuar të dëshmojnë edhe pse ne nuk heqim dorë meqë në pyetje janë mbi 13 njerëz të vrarë e disa të plagosur dhe mbi 400 shtëpi të dëmtuara.
Bajrami tha se Këshilli i fshatit, me përfaqësues Rrahim Bajramin, Musli Ukshinin dhe Nezir Nezirin e kanë dorëzuar Dosjen e Zhegrës në Prokurorinë e Qarkut.
“Të gjitha elementet e veprave penale, përshkrimin e vrasjeve , dëshmitë dhe deklaratat e dëshmitarëve ndodhen në atë dosje. Ende nuk e kemi të qartë pse nuk ka filluar asnjë hetim. Ne nëse është nevoja do ta dërgojmë Dosjen edhe në Strasburg dhe së fundit edhe në EULEX”, tha Bajrami për rajonipress.
Sipas dëshmive të gjitha operacionet që ka kryer ushtria serbe në Zhegër janë kryer në bashkëveprim me serbët vendor. Ishin banorët serb të Zhegrës që kishin kërkuar ndihmë nga Nishi dhe Serbia. Sipas të dhënave që janë evidentuar në kallëzimin penal vetëm nga burgu i Nishit në Zhegër ishin sjell 8 autobus me 500 paramilitarë me targa të Nishit, Smederevës, Prokuples, Kralevës, Novi Sadit etj.
Të gjithë këta paramilitarë ishin sjell më 29 mars 1999 dhe në mesin e tyre kishte të droguar dhe të atillë që ishin të dënuar me vepra të ndryshme kriminale. E veçanta e aksionit në Zhegër ishte se serbët vendor i kishin pritur me lista në dorë paramilitarët.
Edhe vrasjet e shqiptarëve në Zhegër i ka konstatuar në një procesverbal ish gjykatësi hetues serb Zivojin Jankovic në prezencën e inspektorit të SPB-së Jovica Petrovic.
Sipas konstatimit të këtyre mjekëve viktimat janë vrarë me armë zjarri. Vizuelisht kufomat i ka shikuar mjeku dr. Vasic Hranisllav thuhet në procesverbalin e datës 31 mars 1999. Në këtë procesverbal nuk jepen emrat e dëshmitarëve dhe nuk është bërë identifikimi i kufomave.
Në kallëzimin penal janë të evidentuar disa emra të serbëve të Zhegrës që janë të përfshirë në vrasjet e bashkëvendësve të tyre.
Në kallëzimin penal figurojnë edhe 64 emra të serbëve të Zhegrës të cilët dyshohet se kanë marrë pjesë në plaçkitjen, djegien, rrahjen, torturimet e banorëve të Zhegrës. /Telegrafi/