Detaje të reja kanë dalë nga zhdukja e biznesmenit italian, Davide Pecorelli në Shqipëri.
Burime të sigurta nga Policia e Shtetit konfirmojnë për Euronews Albania se biznesmeni italian është gjendur i djegur në automjetin tip “Skoda Fabia” të marrë me qira.
Mjeti është gjetur në aksin Gjegjan – Reps në Pukë.
Po i njëjti burim i tha se deri në këtë fazë të hetimit ka dyshime të forta se biznesmeni italian të jetë vetëdjegur në rrethana misterioze.
Ndërkaq, gazetari Merin Maçi raporton se nga hetimet e deritanishme uniformat blu kanë konstatuar se në ditën kur ka ndodhur ngjarja bashkëshortja e biznesmenit, e cila është me origjine shqiptare rezulton të ketë qenë në Itali.
Po kështu në automjetin e gjetur të djegur janë gjetur sende personale të biznesmenit italian.
Nëpërmjet një verifikimi në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, Davide Pecorelli rezulton me aktivitet në Shqipëri, si tregtar i produkteve kozmetike.
Alarmi për zhdukjen e tij u dha nga mediat italiane.