Ndërkohë, në fund të shëtitores “Taulantia”, vihet re krijimi i një sheshi nga mbushja e detit me materiale inerte, gjë që ka zhdukur plazhin që ndodhej në këtë zonë. Fare pranë detit, vazhdon ndërtimi i pallateve, ndërsa banorët shprehen se sheshi i sapokrijuar për vazhdimin e shëtitores “Taulantia”, e cila të shpie deri tek “Aragosta”, është bërë enkas për ndërtimin e një pallati të ri, investim i cili u bllokua nga Agjencia Rajonale e Mjedisit për shkak të ndërhyrjeve të firmës zbatuese në det.
Hapësirat e dikurshme pothuajse po zhduken pak nga pak, ndërsa plazhi i vjetër tashmë gjendet vetëm në kujtesën e banorëve më të vjetër.
Banorët fajësojnë Bashkinë për gjendjen e krijuar, e cila me lejet e shumta të ndërtimit që ka dhënë në zonën afër bregdetit, ka bërë që gjithçka të zihet nga ndërtimet shumëkatëshe, duke mos krijuar asnjë hapësirë të gjelbër apo ambiente argëtimi për banorët. Zona e plazhit të vjetër funksiononte edhe si vend për shëtitje mbrëmjeve të verës.
Strategjia e Bashkisë së Durrësit për vijën bregdetare është përmbledhur në një studim që është promovuar gjatë fushatës elektorale me emrin “Vija e kaltër”, ku, midis të tjerash, është bërë e ditur se gjatë këtij mandati Bashkia ka si qëllim rehabilitimin total të plazhit të Currilave, duke investuar aty një fond që shkon në 4-5 milionë euro./Telegrafi/