Telegrafi

Zhduket përmendorja e Boris Sarafov në Shkup, askush nuk e di ku ndodhet (Video)

Kanë kaluar disa muaj nga heqja e përmendores Boris Sarafov. Ende nuk dihet se ku është dërguar përmendorja me përmasa pesë metërshe.

Në anën e majtë tek Ministria e Jashtme kishte qëndruar përmendorja që ishte donacion nga autorja Valentina Stefanovska, njofton Tv21.

Përmendorja ishte e vendosur anash ministrisë së punëve të jashtme, ndërsa mu në vendin ku ishte vendosur po punohet për ndërtimin e një objekti.

Se ku është dërguar përmendorja nuk dinë gjë as edhe nga Qyteti i Shkupit. Nga atje thonë se përmendorja është larguar për shkak të aktiviteteve ndërtimore.

“Përmendorja e Boris Sarafov-it e vendosur para MPJ-së sipas informatave tona është larguar për shkak të realizimit të aktiviteteve ndërtimore, për të cilat Qyteti i Shkupit nuk ka dhënë leje, ndërsa nuk kemi informacione kush e ka dislokuar dhe ku është dërguar”, thonë nga Qyteti i Shkupit.

Skulptorja Stefanovska përmendoren e kishte paralajmëruar në vitin 2012.

Pasi që në vitin 2013, kryetar i Komunës Qendër u zgjodh Andrej Zhernovski, Qyteti i Shkupit me kryetarin e atëhershëm të VMRO-DPMNE-së Koce Trajanovski, i mori nën kompetencë përmendoret nga projekti Shkupi 2014.

Ndërsa autorja e përmendores atëherë kishte paralajmëruar se këtë donacion po e bën me idenë e një atraksioni turistik. Stefanovska është një ndër skulptoret që ka ndërtuar më së shumti përmendore në kuadër të projektit kontrovers “Shkupi 2014”. Kanë kaluar muaj të tërë por ende mbetet engimë vendodhja e memorialit Sarafov.