Site icon Telegrafi

Zhduket në mënyrë të mistershme bashkëthemeluesi i Wikileaks, Arjen Kamphuis

WikiLeaks ka ngritur shqetësimin pasi Arjen Kamphuis, një bashkëpunëtor i ngushtë i themeluesit Julian Assange, u zhduk në Norvegji.

Eksperti i sigurisë kibernetike u pa për herë të fundit në veri të Norvegjisë më 20 gusht.

WikiLeaks, përmes llogarisë në Twitter njoftoi të dielën në lidhje me “zhdukjen e çuditshme” të Arjen Kamphuis, duke thënë se për të nuk është dëgjuar që nga data 20 gusht, kur ai u largua nga një hotel në qytetin verior të Norvegjisë, Bodo, përcjell Telegrafi.

WikiLeaks tha se Kamphuis, një bashkëpunëtor i themeluesit Julian Assange, kishte një biletë fluturimi nga Trondheim për datën 22 gusht.
Destinacioni i fundit pas fluturimit duhej të ishte shtëpia e tij, Amsterdami, por ai nuk arriti atje deri tani.

Të dielën, policia norvegjeze filloi hetimin për zhdukjen e konsulentit të WikiLeaks dhe u tha gazetarëve se ata nuk kishin “asnjë indikacion” rreth vendndodhjes së Kamphuis.

Zëdhënësi i policisë Tommy Bech tha se hetuesit “nuk do të spekulojnë për atë që mund të ketë ndodhur”, me ekspertin e kibernetikës.

Ministria holandeze e Punëve të Jashtme tha se ishte në dijeni të zhdukjes së tij, pasi ishte njoftuar përmes disa cicërimave të shpërndara në rrjet.

Zhdukja e dyshuar e Kamphuis vjen mes një spekulimi në lidhje me dëbimin e mundshëm të themeluesit të WikiLeaks Julian Assange nga ambasada e Ekuadorit në Londër, ku po strehohet prej gjashtë vitesh./Telegrafi/

Arjen Kamphuis, 47 vjeç, ka humbur që nga data 20 gusht kur ka dalë nga hoteli i tij në qytetin verior Bodo të Norvegjisë
Exit mobile version