Telegrafi

Zhduket në mënyrë misterioze aeroplani mbi Rusi

Avioni që transportonte tre persona dhe ngarkesë është zhdukur në lindjen e largët të Rusisë, thanë autoritetet e vendit.

Ministria e situatave emergjente të Rusisë tha se ishte alarmuar për avionin e zhdukur Antonov An-2 –një biplane me një motor të epokës sovjetike – kur nuk zbarkoi siç ishte planifikuar në Yakutia, që njihet gjithashtu si Republika e Sakhasë, raporton Newsweek, përcjell Telegrafi.

Avioni ishte nisur nga kryeqyteti i republikës Yakutsk, që gjendet rreth 7,242 kilometra në lindje të Moskës, në orën 6:30 të mëngjesit me kohën lokale të së martës.

Në bordin e avionit, për të cilin agjencia e lajmeve Tass raportoi se i përkiste një organizate private, ishin dy anëtarë të ekuipazhit, një pasagjer dhe një ton ngarkesë, thanë autoritetet.

Ministria tha se avioni duhej të zbarkonte në rrethin Kobyaysky të Yakutia “por nuk mbërriti në kohën e caktuar dhe u zhduk nga radari”.

Dega rajonale e komitetit hetues të Rusisë ka thënë se një hetim penal ishte iniciuar “për shkak të mungesës së informacionit” për vendndodhjen e avionit.

Hetimi filloi në bazë të nenit 263 të kodit penal dhe do të shqyrtojë nëse janë shkelur rregullat e sigurisë së trafikut ajror, raportoi Interfax. /Telegrafi/