Site icon Telegrafi

Zhduket në mënyrë misterioze 49-vjeçari në Ksamil, rrobat i gjenden në breg të detit

Një 49-vjeçar, i identifikuar si Naim Likometi, nga Tirana, ka humbur kontaktet me familjarët dhe miqtë që prej mëngjesit të datës 8 mars 2025.

Burime bëjnë me dije se Likometi, i humbi kontaktet me familjarët në Tiranë, teksa kishte shkuar në fundjavë në banesën e pushimeve që kishin në Ksamil.

49-vjeçari doli nga shtëpia e tij rreth orës 06:00 të mëngjesit të datës 8 mars dhe që prej asaj kohe nuk ka dhënë asnjë shenjë jete.

Sipas informacioneve nga familja, Naim Likometi ishte veshur me një xhup të zi, atlete Adidas dhe një kostum sportiv me ngjyrë blu të errët, kur ka dalë nga banesa. Pas humbjes së tij, autoritetet e policisë së Sarandës kanë nisur kërkimet, por dyshimet për fatin e tij janë shtuar në momentin kur, sot në mesditë, janë gjetur rrobat dhe telefoni celular i tij në bregun e detit në Ksamil.

Burimet nga familja konfirmojnë se telefoni celular i Likometit ka qenë i aktivizuar deri në orën 16:00 të datës 8 mars, por pas kësaj ore ka mbetur i fikur. Ky detaj ka shtuar më shumë misterin rreth zhdukjes së tij dhe ka ngritur dyshime se mund të ketë ndodhur një incident tragjik.

Aktualisht, autoritetet policore dhe ato kufitare të Sarandës po zhvillojnë kërkime intensive në tokë dhe në det, për të zbuluar më shumë rreth fatit të 49-vjeçarit.

Exit mobile version