Site icon Telegrafi

“Zhduket” liqeni që dikur kishte mbi dy milionë peshq, banorët thonë se po përjetojnë “kiametin” (Video)

Një nga liqenet më të mëdha artificiale në Bosnjë dhe Hercegovinë, liqeni Jablanica, është tharë plotësisht, duke e bërë atë pjesë të Bosnjës të ndryshojë tërësisht pamjen e tij.

Siç shkruajnë mediat boshnjake, përcjell Telegrafi, në 40 ditët e fundit, ky liqen dhe të gjithë ata që jetojnë afër tij janë duke përjetuar një katastrofë të vërtetë ekologjike.

Po sipas medieve boshnjake, banorët që jetojnë aty afër thonë se kjo që ka ndodhur i ngjanë pamjeve të “kiametit”.

Gjithashtu sipas tyre, Bosnja dhe Hercegovina ka humbur një thesar të vërtetë të florës dhe faunës, dhe është zhdukur edhe uji i cili mbulonte në rreth 900 hektarë hapësirë.

“Në 40 ditët e fundit liqeni Jablanica është dukshëm në rënie, dhe në ditët e fundit ka rezultuar me shkarkimin e përgjithshëm të të gjithë liqenit. Duhet vënë në dukje se pesë vjet më parë në liqe kishte rreth dy milionë peshq”, ka thënë Mirsad Treshnjo, sekretar i Organizatës së peshkatarëve sportivë.

Imazhet e tmerrshme kanë goditur të gjithë banorët e Bosnjës dhe Hercegovinës, dhe këto ditë në rrjetet sociale mund të lexohen komente të ndryshme, kritike për të gjithë ata që janë përgjegjës për këtë fatkeqësi.

Askush nuk mund të parashikojë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, por fakt është se të gjitha ato që ekzistonin u shkatërruan dhe tani liqeni Jablanica duket si një shkretëtirë. /Telegrafi/

Exit mobile version