Gjatë ditës së sotme u bë publike lista zyrtare e futbollistëve të cilët do të luajnë ndeshjen e parë historike të Përfaqësueses së Kosovës kundër Haitit me 5 mars, mirëpo aty menjëherë u vërejt mungesa e yllit kosovar, Mentor Zhdrella, i cili padyshim se do t’i jepte një dimension tjetër kësaj Përfaqësuese. Për më shumë, Zhdrella që katër vite rresht është zgjedhur si lojtari më i mirë në Kosovë.
I kontaktuar menjëherë nga Telegrafi, Zhdrella u shpreh i gatshëm për të bashkëbiseduar me ne dhe për të ndarë zhgënjimin e tij rreth kësaj çështjeje.
“Nuk e di pse nuk më ka bërë ftesë Albert Bunjaki, vetëm ai e di. Por, ky selektori i Kosovës nuk kish lënë asnjë ‘komshi’ në Suedi pa e thirrë, por çfarë të bëjmë ky është realiteti jonë”, tha Zhdrella ekskluzivisht për Telegrafin.
I pyetur se a mendon se në këtë listë është dashur të përfshihen më shumë lojtarë që luajnë në Kosovë, Zhdrella tha: “Po, ka lojtarë që e meritojnë të ftohen sepse janë më të mirë se këta në këtë listë. Ka lojtarë në Kosovë, por edhe në Shqipëri që e kanë merituar ftesën, si p.sh Liridon Kukaj, Qëndrim Dautaj, Mentor Mazrekaj, Besar Musolli, Blerim Krasniqi etj”.
Edhe pse i zhgënjyer që nuk do të luajë në këtë ndeshje, Zhdrella si një profesionist i vërtetë tha se ai ndjehet krenarë që Kosova do të luajë këtë ndeshje këtë historike dhe se ndjehet i emocionuar për këtë.
Lista e Kosovës kundër Haitit:
Portierë: Samir Ujkani, Kushtrim Mushica, Julian Bibelaj.
Mbrojtës: Avni Pepa, Loret Sadiku, Lum Rexhepi, Shkodran Metaj, Shpëtim Hasani.
Mesfushorët: Ardian Gashi, Anel Rashkaj, Fanol Perdedaj, Enis Alushi, Liridon Krasniqi, Kristian Nushi, Enis Bunjaku, Faton Toski, Shpëtim Hasani, Flamur Kastrati.
Sulmuesit: Albert Bunjaku, Ilir Azemi, Alban Bunjaku, Bersant Celina. /Telegrafi/