Kongresi i OBRM-PDUKM-së i paralajmëruar për javën e ardhshme i jep shpresë ambasadorit të BE-së Samuel Zhbogar se kjo parti do të ndryshojë rolin e saj dekonstruktiv dhe të përfshihet në realizimin e reformave. Ai nuk deshi të komentojë arrestimet e fundit të deputetëve të kësaj partie, duke thënë që kjo do të nënkuptohej si ndërhyrje në punën e gjyqësorit
“Shpresoj se pas Kongresit të OBRM-PDUKM-së javën e ardhshme, ne do të fitojmë një opozitë që nuk është e përkushtuar vetëm që në mënyrë destruktive të parandalojë gjërat që të ndodhin. Më mirë të kemi një opozitë që do të konkurrojë në mënyrë konstruktive me Qeverinë, me ide, propozime dhe sugjerime, se si të përmirësohet. Kjo është opozita për të cilën kemi nevojë dhe e cila mungon për momentin. Unë shpresoj që do ta kthejmë përsëri OBRM-PDUKM-në e fortë në jetën publike dhe në Kuvend”, deklaroi Samuel Zhbogar, ambasador i BE-së.
Në një paraqitje para mediave, Zhbogar deklaroi se shpreson që partitë më nuk do të kenë nevojë për ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve për të zgjidhur çështjet e brendshme. Iniciativa “Zhan Mone” që përfshinte propozimin që liderët të takohen në Paris, sipas Zhbogar, nuk është menduar të jetë vazhdimësi e Marrëveshjes së Përzhinës por t’i sjellë ata bashkë për të përmirësuar atmosferën. Ai sqaroi deklaratën e bujshme të komisionerit Han për propozim-ligjin për përdorimin e gjuhëve, duke thënë se në ditët e mbetura të dhjetorit dhe në janar, parlamentit i mbetet pak kohë për miratimin e ligjeve në kuadër të reformave dhe ajo duhet shfrytëzuar. Ai shtoi se nëse diçka tjetër, si ligji për gjuhëve të cilët vetë BE-ja e ka aprovuar, mund të bëhet paralelisht, ata nuk kanë asgjë kundër kësaj.
Sa i takon përmbajtjes së raportit të Progresit që pritet të publikohet nga fundi i pranverës së ardhshme, Zhbogar tha se sytë e ndërkombëtarëve janë në zbatimin e reformave në tre sferat më të rëndësishme.
“Ne shohim propozim-ligje në Parlament që kanë të bëjnë me sistemin juridik. Në shpresojmë që këto ligje do të mund të kalojnë së shpejti, në javët e ardhshme. Qeveria përgatit propozim-ligjin për DSK-në, për zhvendosjen e pajisjes së përgjimit të DSK-së në një Agjenci të pavarur që po ashtu është gjë e mirë. Po ashtu kërkojnë mënyra se si të reformojnë DSK-në në mënyrë plotësuese. Sfera e tretë të cilën ne e vëzhgojmë nga afër është punësimi në institucionet e pavarura ku ka shumë pozicione të hapura dhe ne duam që ky proces të jetë transparent. Këto janë prioritetet tona dhe aty ku ne duam të shohim progres”, theksoi Samuel Zhbogar.
Zhbogar deklaroi se aktualisht Brukseli diskuton për mënyrat e reja të zgjerimit dhe tani është koha për t’u bërë pjesë e listës.
“Viti i ardhshëm është vërtetë një dritare e rëndësishme mundësish. Nuk e dimë nëse do të ketë dritare më të mirë në të ardhmen për vendin që të kapë trenin që tashmë është nisur dhe të ecë përpara në zhvillimet e mëtejme të zgjerimit të BE-së”, shtoi Samuel Zhbogar.
Sa u takon negociatave për zgjidhjen e çështjes së emrit, ambasadori Zhbogar deklaroi se sheh vullnet të mirë nga të dyja palët, por është herët për të paragjykuar nëse do të ketë sukses.
“Shohim vullnet të mirë nga të dyja anët për të përmirësuar atmosferën dhe atmosfera po përmirësohet gjë që do ta bëjë më të lehtë marrjen me këtë çështje. Qeveria duket e fokusuar në këtë çështje. Nuk ka garanci që do të ketë sukses por nëse nuk provon, nuk mund të kesh sukses”, theksoi përsësri Samuel Zhbogar
Zhbogar, duke komentuar dorëheqjet e fundit në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve deklaroi se ai ishte një mësim i mirë që duhet të shpërbejë edhe për raste të ngjashme në institucionet tjera. Sipas tij, Kodi Zgjedhor, përveç kësaj pike, ka nevojë edhe për ndryshime të tjera dhe kërkoi që ata të bëhen para zgjedhjeve të ardhshme.