Ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar, në emisionin “Studio e Hapur” në TV Shenja, ka folur për rëndësinë e referendumit, marrëveshjen me Greqinë dhe përfitimet nga procesi integrues i Maqedonisë.
Ai në intervistë tha se ka mirëkuptim që vendimi për referendum nuk është i lehtë, por votimin më 30 shtator ai e quajti vendim për ardhmërinë e qytetarëve dhe fëmijëve të tyre.
“Është vendim shumë i rëndësishëm që do ta sjellin qytetarët në fund të javës. Kuptoj se nuk është vendim i lehtë për njerëzit, është vendim i vështirë, është vendim tejet emocional, por njëkohësisht është edhe vendim për ardhmërinë e vendit. Për dhjetë vitet e fundit kemi parë se ku ka përfunduar vendi, pa një perspektivë të qartë evropiane. Tani, dyert janë të hapura, siç tha Mogherini këtu në Shkup, dhe ne të gjithë shpresojmë se qytetarët do të zgjedhin vendimin për ardhmërinë, për ardhmërinë e fëmijëve, ardhmërinë për një shtet më të mirë, për integrimin në BE dhe NATO. Natyrisht ky është një vendim që vetë qytetarët duhet ta marrin dhe ne do ta respektojmë këtë”, tha Zhbogar.
Në pyetjen nëse Maqedonia rrezikohet nga skenarë të errëta ose destabilizim në rast të dështimit të referendumit dhe integrimeve, ambasadori i BE-së, Samuel Zhbogar tha se ai nuk mund të jep përgjigje, por këtë duhet ta mendojnë çdo qytetar para vendimit për votim ose bojkot në referendumin e 30 shtatorit.