Me kërkesë të deputetit të Parlamentit të Shqipërisë, Namik Dokle dhe banorëve të fshatrave Borje dhe Shishtavec të Kukësit, ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, angazhuan ekipe kosovare për hapjen e rrugëve nga drejtimi i Prizrenit në drejtim të këtyre fshatrave të Kukësit.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit shqiptar dhe banorëve të zonës duke i falënderuar ministrin Zharku dhe ambasadorin Minxhozi.
Reagimin e deputetit Dokle në profilin e tij në facebook mund ta lexoni në vijim:
Falënderim dhe mirënjohje pa kufi…
Përzemërsisht u jam mirënjohës ambasadorit tonë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ministrit të infrastrukturës në Republikën e Kosovës, Lutfi Zharku dhe bashkëpunëtorëve të tij!
Sapo i njoftuam që bora e madhe kishte bllokuar fshatrat Borje dhe Shishtavec dhe se zhbllokimi nga drejtimi i Kukësit do të vonohej shumë, morën masa të menjëhershme, angazhuan njerëzit, shkuan edhe vetë dhe sot Shishtaveci dhe Borja e kanë të hapur rrugën drejt Prizrenit e prej andej për në Kukës, Tirane e kudo, ku njerëzit mund të kenë nevojë.
Punë e mrekullueshme!
Ndjehesh vërtetë shumë mirë, kur shikon veprime të tilla, sa të përgjegjshme po aq edhe njerëzore, sa të thjeshta në dukje po aq edhe të madhërishme në vlerat që bartin e mesazhin që transmetojnë.
Mirënjohje Lutfi, mirënjohje Qemal!” . /Telegrafi/