Site icon Telegrafi

Zharku i kundërpërgjigjet Lekajt

Ish-ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, i cili po përballet me akuza nga ministri Pal Lekaj, i ka kërkuar këtij të fundit që për çdo gjë të përballen në Parlament.

Zharku tha se tashmë ka bërë kërkesë për pyetje parlamentare, ku, sipas tij, do të sqarohen edhe pretendimet e Lekajt për nënshkrime tenderësh në orët e vona. Reagimi i Zharkut vjen pas akuzave të ministrit nga radhët e AAK-së se projekti për autostradën Prishtinë –Gjilan ishte nënshkruar në orën 23:00 dhe se në kohën e Zharkut ishin bërë shumë dallavere.

Lutfi Zharku, i cili ka drejtuar Ministrinë e Infrastrukturës në Qeverinë “Mustafa”, thotë se asnjë ministër nuk nënshkruan projekte, e as këtë që ka të bëjë me autostradën Prishtinë – Gjilan.

Për Express, Zharku e ka ftuar publikisht ministrin Lekaj që nëse e ka një dokument të vetëm ku figuron nënshkrimi i tij, atëherë le ta publikojë. “Unë e bëra kërkesën në Kuvend për pyetje parlamentare, tash ai këto akuza le t’i sqarojë aty në Kuvend. Po qysh nënshkruan ministri për projekte, kurrë asnjë ministër nuk nënshkruan projekte.

Ai veç një dokument le ta qet, unë po e thirri publikisht e le ta qet një letër që unë e kam nënshkruar. “Po i bëj ftesë publike dhe të tregojë se cilin projekt e kam nënshkruar unë, të tregojë kur dhe me kë e kam nënshkruar”, u shpreh ish-ministri Lutfi Zharku, kur u pyet për akuzat që ia bëri të hënën mbrëma ministri aktual.

Lekaj madje u zotua se mashtrimet që janë bërë në mandatin e kaluar do të dalin në shesh, ndërsa u shpreh i zhgënjyer me punën që është bërë deri tani. “Ajo që e kam gjetur të keqe është marrëveshja e mirëkuptimit me shumë komuna, ku janë nënshkruar marrëveshje që nuk kanë mbështetje buxhetore”, tha ministri Lekaj.

Por, megjithëkëtë, Lutfi Zharku kërkon që të bëhet publik dokumenti ku është nënshkrimi i tij. Ai shpjegon se asnjë ministër nuk nënshkruan projekte dhe se ato janë procedura të shërbyesve civilë. “E ftoj publikisht përmes juve që ta qetë një dokument kur e kam nënshkruar. Nëse janë bërë dallavere në këtë tender atëherë le ta vërtetojë ai, por kjo nuk ka qenë punë e ministrit”, përfundoi Zharku.

Autostrada Prishtinë – Gjilan e paraparë të ndërtohej këtë vit, nuk u realizua pasi Kuvendi e hoqi atë nga buxheti i vitit 2017. Qeveria Haradinaj tha se autostrada do të ndërtohet, vetëm se duhet pak kohë derisa të kryhen edhe procedura ligjore që sipas tyre janë bërë lëshime gjatë dhënies së tenderit. /Telegrafi/

Exit mobile version