Filmi vendor “Zgjoi” që ka filluar shfaqjen në Cineplexx më 28 tetor, dhe deri më tani ka arritur të sjellë 10,000 vizitorë në kinemanë më të madhe në Kosovë.
Me 10,000 bileta të shitura deri tani, Zgjoi është në rrugë për të thyer rekord të shitjes së biletave të filmave vendor në Kosovë.
Filmi Zgjoi ka zgjuar interesim të jashtëzakonshëm tek publiku Kosovar, duke bërë që çdo natë në të dy kinematë, shfaqjet e filmit Zgjoi të mbushin sallat plot, dhe duke marrë parasysh që kinemaja punon vetëm me 50% kapacitet, mund të hamendësojmë që numri i biletave do të ishte shumë më i madh në kushte normale.
Filmi do të vazhdojë të shfaqet në ditët dhe javët në vazhdim, ndërsa kinemaja Cineplexx ka rezervuar mbi 8 orare për shfaqjen e filmit çdo ditë, duke u mundësuar të gjithë të interesuarve për ta shikuar në termine të ndryshme.
Filmi përcjellë Fahrijen e cila është në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë. Ajo fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetesën e familjes së saj në një ambient tradicional patriarkal ku ambicia e saj për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë.
Punët bujqësore fillojnë t’i ecin mbarë pos bletëve që janë shumë kaotike dhe agresive ndaj saj. Në rrugëtimin e saj për ta gjetur paqen me bletët, ajo fillon ta gjejë edhe paqen me veten për të jetuar në një situatë të re për të.
Oraret për filmin Zgjoi në Cineplexx mund t’i gjeni duke klikuar këtu. /Telegrafi/