Site icon Telegrafi

Zgjohu Luginë e Preshevës dhe kërko të drejta e tua

Bisedimet e shumëpërfolura mes Kosovës dhe Serbisë shumë shpejt mund të bëhen realitet, ndërsa e kundërta e kësaj ka pak gjasa të ndodhë. Në fakt një lloj i negociatave, nëse mundë t’i quajmë kështu prononcimet e shumta të politikanëve dhe analistëve serbë në radhë të parë, atyre kosovarë dhe ndërkombëtarë, lidhur me këtë çështje, ka kohë që kanë filluar.

Në vigjilje të vendimit të GND-së lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, sikur shumë herë gjatë historisë Serbia e ka iniciativën dhe avantazhet e caktuara politike të cilat falë strategjisë së përpunuar mirë shpesh herë i ka shfrytëzuar maksimalisht.

Edhe pse e ka humbur luftën e armatosur në Kosovë, e gjykuar me të drejtë nga një pjesë e gjerë e komunitetit ndërkombëtar, edhe përkundër përkrahjes së madhe ndërkombëtare për Kosovën, Serbia e ka vazhduar luftën politike kundër interesave jetike të Kosovës dhe kosovarëve, në të cilën ajo ka avancuar dhe vazhdon të avancojë me përmasat dhe cilësinë e përpjekjeve të saj krahasuar me Kosovën dhe shqiptarët.

Ndërmarrjet politike të Serbisë së pasluftës nuk ishin të padëmshme, nuk kanë qenë dhe druaj se nuk do të jenë pa rezultat, duke pasur parasysh se si ajo ka shfrytëzuar e me gjasë edhe iniciuar ngjarje të ndryshme nëpër Kosovë, sikur që ishin trazirat e marsit të vitti 2004, duke pasur parasysh ndërhyrjet e saj jolegjitime, por të efektshme në territorin e Republikës së Kosovës e posaçërisht në Veriun e saj, ndërhyrjen energjike te shtetet e ndryshme dhe në forumet e rëndësishme të politikës ndërkombëtare me qëllim të ndërprerjes së procesit të njohjeve të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, duke kujtuar kompromiset kosovare në bisedimet e Vjenës, gjashtëpikëshin e Ban Ki Munit etj. Tani në lidhje me bisedimet që pritet të ndodhin, edhe pala kosovare edhe ajo serbe i kanë hapur letrat e para.

Serbia në prononcime joformale ka bërë të ditur se dëshiron shkëmbim territoresh me Kosovën e pastaj edhe mund ta njohë atë si shtet të pavarur, një qasje kjo e përkrahur edhe nga disa qarqe ndërkombëtare, ndërsa pala kosovare është kundërpërgjigjur botërisht dhe në linja zyrtare duke përjashtuar çdo mundësi kompromisi me sovranitetin dhe integritetin territorial të saj.

Fillimisht prononcimet e udhëheqësve kosovarë vinin theksin më shumë në aprovimin e bisedimeve të ashtuquajtura teknike, të cilat nuk do të adresonin sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, por do të shqyrtonin çështje tjera si lëvizja e lirë e qytetarëve, të pagjeturit, luftimi i krimit të organizuar etj; ashtu sikundër u shpreh një diplomat amerikan në përkrahje të këtyre bisedimeve: që Serbia dhe Kosova të pajtohen, të mos pajtohen për disa çështje, ndërsa për të tjerat të bisedojnë. Që Kosova dhe Serbia të zhvillojnë bisedime e të mos i prekin çështjet kruciale të marrëdhënieve bilaterale, pikat më neuralgjike të mosmarrëveshjeve shekullore është e vështirë të besohet. Qëndrimi i Kosovës për të mos bërë kompromise me integritetin e sajë territorial që është bërthama e identitetit të saj shtetëror, i shprehur qartë edhe në simbolet e saj, është i drejtë dhe këtë qëndrim duhet mbajtur para bashkësisë ndërkombëtare. Me kërkesën për shkëmbim territoresh me Kosovën, Serbia e ka ndryshuar qëndrimin e saj dhe ka demantuar vetveten ndërsa deklaronte pa u ndalur se Kosova është territor i saj që i është marrë padrejtësisht nga bashkësia ndërkombëtare dhe separatistët shqiptarë, dhe këtë opinioni ndërkombëtar do ta ketë kuptuar edhe më përpara.

Nëse garanti kryesor i hëpërhëshëm i sovranitetit dhe i integritetit territorial të Kosovës janë SHBA-të dhe NATO-ja, atëherë po deshën këto instanca të fuqishme të përkrahin bisedime në të cilat do të shqyrtohej edhe përkufizimi territorial i Kosovës dhe Serbisë, bisedimet e tilla mundë të bëhen realitet, edhe pse të njëjtat dhe shumë organizma tjerë relevantë ndërkombëtarë aktualisht shprehen kundër, për të evituar domino-efektin negativ rajonal sikundër arsyetojnë disa prej tyre, por në anën tjetër edhe Serbia nuk është bash e vetmuar në promovimin e qasjes së propozuar prej saj. Për më tepër për shkak të implikimeve të rëndësishme ndërkombëtare dhe për hir të stabilizimit afatgjatë të Ballkanit problematik, një qasje e tillë e zgjidhjes së problemeve serbo-kosovare edhe mundë të fitojë më tepër mbështetje.

Në një shkrim të para disa ditëve në njërën nga mediat elektronike serbe paralajmërohej se bisedimet e fshehta mes Kosovës dhe Serbisë do të mundë të kishin filluar tashmë. Bisedime të fshehta për shkëmbime territoresh me prezencë dhe garanci ndërkombëtare, bisedime në të cilat Serbia dhe Kosova janë të barabarta, me ç’rast Serbia njeh Republikën e Kosovës shtet sovran dhe të pavarur, nëse ky do të ishte vullneti i të fuqishmëve atëherë këto bisedime le të ndodhin dhe do të ndodhin në një rast të tillë. Duke kërkuar herë ndarje të Kosovës e herë shkëmbim territoresh me të dëshira të cilën e synon Serbia me gjasa të mira për t’u bërë realitet mundë të jetë një goxha autonomi për serbët e veriut, që do të ishte gati ekuivalent me ndarjen dhe një hap afër ndarjes së Kosovës.

Kundrejt të gjitha këtyre zhvillimeve, prononcimeve dhe mundësive një zë që më duket se mungon është ai i shqiptarëve të Kosovës Lindore apo Luginës së Preshevës, si term më i konsoliduar ndërkombëtarisht, që do të duhej të tërhiqte vëmendje dhe të tregonte qartë për gjendjen dhe aspiratat legjitime të Kosovarëve të Luginës së Preshevës. Lugina e Preshevës pse të mos e përsërisim edhe një herë sepse e kërkon momenti që mund të jetë historik, ka qenë pjesë e Kosovës dhe vetëm pas luftës së dytë botërore i është bashkangjitur në mënyrë arbitrare jugut të Serbisë, dhe për këtë dëshmitë nuk mungojnë dhe janë të pamohueshme.

Lugina e Preshevës/Kosova Lindore viteve të 90-ta të shekullit të kaluar ka mbajtur një referendum, në të cilin shumica e qytetarëve të saj janë deklaruar që këto vendbanime shqiptare t’i bashkëngjiten Republikës së Kosovës. Në luginën e Preshevës/Kosovën Lindore në vitet 2000 dhe 2001 ka pasur një konflikt të armatosur dhe më pas një marrëveshje paqësore edhe pas së cilës shqiptarët e kësaj treve nuk kanë përfituar as për së afërmi të drejta qytetare dhe nacionale sa kanë përfituar dhe përfitojnë serbet e Kosovës në Kosovë.

Tani është koha për prononcime në kontinuitet të liderëve politikë dhe të intelektualëve të Luginës karshi bisedimeve serbo-kosovare dhe nëse nuk i dëgjojnë në Beograd, në Prishtinë apo në Tiranë, atëherë duhet shkuar në Bruksel, Washington, në Berlin e Paris gjithandej ku kanë mundur të shkojnë ata pak përfaqësues politikë të popullit shqiptar qysh para 100 viteve në mbrojtje të interesave nacionale.

Pse mos të demonstrohet paqësisht, në Preshevë e në Bujanoc, sikur shumë herë përpara, me flamuj kombëtarë në duar, përdorimi i të cilit nuk është i lirë në këto vise, duke artikuluar fuqishëm dhe qartë kërkesën për RECIPROCITET me serbët e Kosovës; Pse mos t’i gëzojnë të njëjtat të drejta shqiptarët e Luginës së Preshevës, sikur serbët e Kosovës?!

Edhe nga Kosova dhe Shqipëria nuk do të duhej të mungonte përkrahja politike, por një gjë duhet ditur, Kosova nuk është edhe shumë në gjendje t’i ofrojë ndihmën që e meriton Lugina e Preshevës/Kosova Lindore. Ajo edhe në bisedimet e Vjenës që rezultuan me marrëveshjen e Ahtisaarit ishte e pafuqishme në tentativën e saj për ta përfshirë në bisedime edhe çështjen e të drejtave të kosovarëve të Luginës së Preshevës. Nisur nga kjo përvojë dhe nga pozicioni politik i Republikës së Kosovës që vazhdon të mbetet delikat, mendoj se kontributi më i madh për aktualizimin e problemit të Luginës së Preshevës do të vinte nga vet banorët e saj, udhëheqësit politikë, intelektualët dhe veprimtarët e saj të dëshmuar.

Cilado që të jetë kahja e bisedimeve serbo-kosovare me ngritjen dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së të drejtave dhe lirive të kosovarëve të Luginës së Preshevës, me barasvlerësimin e të drejtave të tyre me ato të Serbëve të Kosovës, përfitojnë edhe Kosova administrative edhe Lugina e Preshevës/Kosova Lindore. Prandaj, Zgjohu Luginë e Preshevës dhe kërko të drejtat që të takojnë.

Exit mobile version