Më 10 shkurt, presidentja e Koresë së Jugut Park Geun-hye njoftoi se ajo do t’i përgjigjej testit të fundit bërthamor dhe lëshimit të një rakete nga ana e Koresë së Veriut duke mbyllur rajonin industrial Kaesong, elementi i fundit madhor për një bashkëpunim ndër-Korean. Në përgjigje, udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong-un konfiskoi të gjitha asetet koreanojugore në rajon, duke i dhënë 248 menaxherëve jugorë vetëm pak orë kohë për të mbledhur plaçkat dhe për të ikur.
Pak pas kësaj, një anëtar i Asamblesë Kombëtare të Koresë së Jugut më shpjegoi mua vendimin e Park. “Ka një paradigmë të re këtu,” tha ai. “Askush nuk beson më se Veriu do të heqë ndonjëherë dorë nga armët e veta bërthamore.”
Do të duhet edhe pak kohë para se kjo paradigmë e re kuptimplotë të marrë vëmendjen e duhur. Ndërkohë, një gjë është e qartë: Koreja e Jugut është nisur drejt ujërave të turbullta, ku do të ketë nevojë për mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare.
Për shumë vite, Koreanët e Jugut patën shpresuar se Koreja e Veriut do të detyrohet të kuptojë se një marrëveshje bërthamore është në interes të saj. Në fund të fundit, në shkëmbim të heqjes dorë nga armët bërthamore, Veriut i qe ofruar ndihmë ekonomike dhe në energji, një traktat paqeje me Shtetet e Bashkuara, njohje diplomatike, mundësi për t’u bashkuar me bashkësinë ndërkombëtare, dhe madje – me kalimin e kohës – edhe bekim nga ana e botës për një program bërthamor për qëllime civile. Sipas çfarëdolloj vlerësimi, Koresë së Veriut i qe ofruar një marrëveshje e mirë; herët apo vonë, ajo duhej ta kishte pranuar.
Megjithatë, Koreja e Veriut në vazhdimësi ka hedhur poshtë çdo përpjekje për të arritur një marrëveshje. Për shumë në Perëndim dhe në veçanti, për të djathtën politike në SHBA, kotësia e përpjekjeve për të negociuar me Veriun vështirë se është diçka e zbuluar rishtazi. Por ajo që kritikët kanë dështuar të kuptojnë është se sa kundërprodhuese mund të jenë kritikat e atyre që jetojnë të sigurtë mijëra kilometra larg. Qe shumë e rëndësishme – e madje thelbësore – që Koresë së Jugut t’i lejohej të mbërrinte në konkluzionet e veta në lidhje me problemin e Veriut.
Ndarja e vendit në vitin 1945 nuk kishte të bënte fare me vetë koreanët. Forcat Sovjetike e pushtuan gadishullin në ditët e fundit të Luftës së Dytë Botërore – një veprim thjeshtë grabitës – dhe pranuan dorëzimin e forcave japoneze. SHBA-të, të shqetësuar se Sovjetikët mund të rrëmbenin të gjithë gadishullin, arritën me nxitim një marrëveshje për të pranuar dorëzimin e forcave japoneze në jug të paralelit 38.
Ndarja që rezultoi e gadishullit përgjatë paralelit 38 ka jetuar më gjatë se shumë tragjedi të ngjashme të shekullit të njëzetë, duke ndarë familjet dhe duke copëzuar një qytetërim të lashtë dhe të fortë.
Rajoni Industrial Kaesong kishte një rëndësi speciale simbolike. Qyteti i lashtë i Kaesong gjendet në një luginë të cekët pak më në perëndim të Zonës së Demilitarizuar, mbi një shteg tradicional sulmi për ushtritë që shkonin nga veriu në jug ose anasjelltas, për më shumë se dy mijëvjeçarë të historisë së Koresë, gjithsesi, ai ra nën kontrollin e ushtrive të Koresë së Veriut dhe Kinës; pas armëpushimit, ky u bë qyteti më jugor i Koresë së Veriut.
Marrëveshja e vitit 2002 për të krijuar rajonin industrial ofroi shpresë se të dy vendet do të bashkoheshin një ditë. Qyteti ofroi një burim mbijetese për kompanitë e Koresë së Jugut që po vuanin për të gjetur punëtorë të lirë në një vend me rritje të shpejtë të pagave, duke i lejuar atyre të përdornin punën e lirë të Koresë së Veriut. Dhe duke i dhënë një mundësi koreanoveriorëve të punojnë për kompanitë e Jugut, një hap i parë ky në kapërcimin e ndasive në gadishull.
Shumë njerëz në Korenë e Jugut e kanë cilësuar të bezdishme kritikën e huaj ndaj “dialogut ndër-korean” përmes të cilit vendi i tyre u përpoq të merrte lëshime nga negociatorët e zymtë të veriut. Kritikët, thonë ata, nuk kanë vuajtur nga dhimbja e të qenit të ndarë më dysh. Akuzuat e huaja se koreanojugorët qenë paqësorë me tepri ose optimistë në mënyrë joracionale në lidhje me Kaesong, u hodhën poshtë me zemërim nga Seuli.
Kjo është arsyeja se pse vendimi i Park për të anuluar projektin pati kaq shumë jehonë. Vendimi i saj është një pranim i hapur i faktit që ky vend nuk mund të vijojë më të bëjë biznes me sundimtarin vrasës alla-Kaligula të Koresë së Veriut. Lëvizja pritet të pasohet nga të tjera, ndërsa Koreja e Jugut po ndërpret bashkëpunimin në tërësi.
Kjo paradigmë e re ndryshon në mënyrë dramatike llogaritë strategjike në rajon. Ajo siguron që Koreja e Jugut do të ndjekë një qëndrim mbrojtës përballë fqinjit të vet luftënxitës, gjë që hap mundësinë për vendosjen atje të baterive anti-raketore të teknologjisë së lartë dhe të prodhimit amerikan. Këto dikur qenë opsione tabu për të diskutuar por që po shtrohen gjithnjë e më me forcë. Nëse Koreja e Veriut do të fillojë të ndezë një raketë tjetër shumëfazëse, a do ta qëllojë atë Koreja e Jugut ende pa u nisur në emër të vetëmbrojtgjes? Si duhet t’i përgjigjet Park një situate ku nëndetëse të armatosura me raketa dalin nga portet e Koresë së Veriut?
Testi bërthamor i Koresë së Veriut dhe lëshimi i një rakete prej saj e kanë bërë botën një vend më të rrezikshëm. Ndërsa Koreanojugorët ankohen për situatën e tyre të re strategjike, atyre duhet t’i bëhet e qartë se do të kenë mbështetje ndërkombëtare për këtë çështje. /Project Syndicate/reporter.al/