Telegrafi

Zgjidhje e përkohshme për nxënësit e Novosellës, të cilët mbetën pa objektin e shkollës

207 nxënësit e fshatit Novosellë të komunës së Bogovinës, shkolla e të cilëve një ditë më parë u përfshi nga flakët dhe u dogj në tërësi, nga dita e nesërme do të mësojnë të shpërndarë. Disa klasë do vendosen tek zyrat e bashkësisë lokale të fshatit Novosellë të komunës së Bogovinës ndërsa do shfrytëzohet edhe xhamia e fshatit.

Këtë sot për Alsat e bëri të ditur përgjegjësi për arsim i komunës së Bogovinës, Nuriman Tefiku i cili tha se e njëjta formë është përdorur për mësim në vitin 2011 kur edhe është riparuar shkolla.

“Ne bashkërisht me drejtorin e shkollës dhe inspektoratin komunal do duhet të mendojmë për procesin edukativo-arsimor. Për momentin kemi dy-tre alternativa se ku dhe në ç’vend do duhet të vijojë procesi edukativo arsimor. Në bazë të njohurive dhe siç u dëgjova sot me drejtorin, ne atje do vazhdojmë në hapësirën e mbetur të shkollës, e cila do të duhet të intervenohet dhe të adoptohet për mbarëvajtje të procesit, një pjesë do vijojnë në hapësirat e bashkësisë lokale dhe ndoshta edhe të mejtepit të xhamisë”, deklaroi Nuriman Tefiku, përgjegjës për arsimin nga Komuna e Bogovinës.

Ndërkohë nga dita e nesërme, inspektorati komunal dhe ai i Ministrisë së Arsimit, pritet që të dalin në terren për ta verifikuar gjendjen faktike dhe dëmin që është shkaktuar.

Sipas të dhënave të siguruara nga Ministria e Arsimit, projekti në fjalë do vendoset tek projektet akute që sa më shpejtë objekti të kthehet në gjendjen e mëparshme ose të bëhet ndërtimi i objektit të ri shkollor në fshatin Sellcë.

Lexo po ashtu Digjet shkolla në fshatin Novo Sellë të Tetovës